Nga Shtërmeni në tryezat shqiptare: Suksesi i fermerit Ferdi Bardhi me gjela deti

0
Screenshot

Nga fshati Shtermen i Bashkisë Cërrik vjen një histori suksesi që dëshmon se puna dhe përkushtimi në bujqësi e blegtori japin rezultate konkrete. Ferdi Bardhi është një nga fermerët më aktivë të zonës dhe ndër të paktë në fshatin e tij që merret me mbarështimin e gjelave të detit.
Gjatë viteve të fundit, Ferdi Bardhi ka mbarështuar mbi 6 mijë krerë gjela deti dhe rika, ndërsa për festat e këtij fundviti ka përgatitur të paktën 400 gjela deti. Në dy javët e fundit ai ka nisur shitjen e tyre. Produkti i tij rritet në kushte natyrore dhe pa ndërhyrje industriale, çka e bën të preferuar nga konsumatorët.

Aktualisht, kilogrami i peshës së gjallë shitet me 10 mijë lekë të vjetra. Vetë fermeri shprehet se pavarësisht vështirësive, puna e përditshme dhe korrektësia me klientët kanë qenë çelësi i suksesit të tij.

Përveç gjelave të detit, këtë vit Ferdi ka planifikuar të shesë edhe rreth 2 mijë pula fushe, të destinuara kryesisht për restorante dhe familjarë. Edhe vitin e kaluar, për festat e fundvitit, ai arriti të shesë mbi 700 gjela deti, rika dhe pula fushe, duke treguar se aktiviteti i tij po rritet nga viti në vit.