Nga torturat te vrasjet për shënjestër, seria brutale e bandave të Elbasanit. Si u ‘fundos’ Mandela

0

Në këtë banesë të braktisur, 28 vite më parë gratë e familjes Toska përjetuan një tmerr të paimagjinueshëm. Pas varrimit të vëllait, Gazmendit, i etur për hakmarrje, rreth orës 14:00 të 15 prillit, “Mandela”, së bashku me vëllanë e tij Astrit Peqini dhe “Murrashin”, shkojnë në banesën e Arjan Toskës. Të tre hapin zjarr për disa minuta, duke terrorizuar gratë dhe fëmijët që ndodheshin brenda saj.

“Ne 97 nuk e kishte problem askush të kryente një vepër penale për shkak të mungesë së autoritet të shtetit. Por personat që ishin të dënuar në vitet 90 dhe u liruan në 97 karakterizoheshin nga një ashpërsi e jashtëzakonshme”, u shpreh pedagogu Kreshnik Myftari.

“Fundi i këtyre ka qenë per te gjithë fund i hidhur nuk ka qenë se ka gëzuar njeri nga ai aktivitet i paligjshëm që kane kryer në atë periudhë. Përfundimin e kanë pasur kryesisht në burgje, varreza”, u shpreh avokati Alban Qafa

Pas breshërisë që derdhën drejt godinës, banda nuk u ndal. Ata u futën në banesë. Përpara u del bashkëshortja e Arjanit, Lirie Toska, e cila ju lut me fjalët: “Mos shtini, jemi të gjithë gra e fëmijë”. Eduart dhe Astrit Peqini, hapën zjarr, duke e plagosur atë në bark dhe këmbë. Nga ana tjetër, “Murrashi”, qëllon në drejtim të kunatës së Arjanit, Nexhmie Toskës, duke e plagosur në të dyja këmbët.

Pas këtij momenti, nëna e Arjanit, Shega Toska merr fëmijët e vegjël dhe ngjitet në katin e tretë të pallatit duke kërkuar ndihmë. Në këtë moment “Mandela”, “Pelo” dhe “Murrashi” i vunë flakën banesës, duke shkrumbuar çdo gjë brenda saj.

Kjo është banesa e Arjan Toskës, e braktisur prej 28 vitesh, ku edhe sot shihet një atmosferë e ngarkuar me trishtim nga pasojat e një kohe të kaluar. Pas këtij momenti, Eduart Peqini, përveç 4 vëllezërve të tij mblodhi pas vetes dhe shumë njerëz të afërt me të.

Ky grupim u quajt “Banda e Mandelës”, kurse pjesëtaret e grupit quheshin “Mandelat”. Nga ana tjetër, Arjan Toska, pasi u vendos në Cërrik u grupua dhe u organizua me persona të tjerë, duke formuar të ashtuquajturën “Banda e Cërrikut”.

Mandela nuk kurseu as djalin e xhaxhait, pasi e vrau i dogji trupin në mes të qytetit

Dy javë pas vrasjes së Gazmend Peqinit, më 29 prill 1997, Eduart Peqini urdhëron “Murrashin” dhe vëllanë tjetër Vladimirin të niseshin drejt Cërrikut dhe të kryenin një atentat ndaj djalit të xhaxhait Enver Peqini. Mandela e konsideronte shkaktarin e tragjedisë dhe luftës mes bandave.

Ata i bënë pritë në Cërrik dhe qëlluan mbi të. U larguan duke besuar se e kishin vrarë, por ai mbijetoi dhe u dërgua në spitalin kirurgjik të Elbasanit për ndihmë mjekësore. “Mandela”, pasi mori vesh se shënjestra e tij ishte ende gjallë, organizoi një sulm të dytë: “Murrashi”, hyri në reanimacion dhe e ekzekutoi me automatik, Enver Peqinin

“Kanë pasur konflikt me kushërinj të parë të tyre. Pas ngjarjes, ku u sulmuan gardistët kanë qenë të vetmit që kanë hyrë në Cërrik dhe kanë bërë luftë me bandën e Cërrikut, pikërisht në hyrje të Cërrikut, ku janë ato dy pallatet e parë”, u shpreh avokati Alban Qafa.

“Po konfliktet mes grupeve kriminale shpeshherë janë banale, nuk është se ka ndonjë arsye madhore sepse nëse janë arsye madhore , ato kanë kapacitetin ti zgjidhin. Arsyet banale pastaj, kush është më i forti, kush është më fodulli ose motive të tjera të ngjashme, padiskutim i marrim si provokim”, u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog i Drejtësisë.

Hakmarrja nuk u ndal këtu. I pakënaqur vetëm me vrasjen, Eduart Peqini urdhëroi që trupi i pajetë i kundërshtarit të tij të rrëmbehej nga morgu. Njerëz të “Mandelës”, zbatuan urdhërin e tij. Pasi tërhoqën trupin nga morgu dhe e transportuan drejt lagjes “Tabakane”. Furgoni me viktimën pritej nga vëllezërit Eduart, Astrit, Vladimir e Agron Peqini. Ata morën trupin e pajetë të Enverit, dhe çuan në vendin ku ishte vrarë vëllai i tyre Gazmendi.

Në një akt makabër, e spërkatën me benzinë dhe e dogjën tërësisht. Në këtë vend, qëndroi për disa ditë kufoma e djegur e Enverit, duke dhënë një mesazh të qartë për armiqtë e “bandës së Mandelës” se të gjithë do kishin fundin e djalit të xhaxhait të tyre. Ata, nuk kursenin askënd…!

NPas kryerjes së ritualit të 40-tave të vëllait të tij Gazmendit, Eduart Peqini, mbledh rreth 15 anëtarë të grupit dhe vendos të niset drejt Cerrikut për të eliminuar Arjan Toskën.

Me të hyrë në Cërrik, grupi i Arjanit, pasi sheh se po vinin kundërshtarët, qëllojnë në drejtim të tyre. Për disa orë anëtarët e të dy grupeve për shkak edhe të errësirës kanë qëlluar kuturu. Nga përplasja me armë mbetën të vrarë dy anëtarë të grupit të “Mandelës”, mes të cilëve dhe nipi i Myzejen Peqinit, nënës së “Mandelës”.

Në orët e para të mëngjesit, grupi i Eduart Peqinit tërhiqet duke lënë pas viktimat. Arjan Toska, i mban si trofe trupat e lëna në shesh betejë nga ‘banda e Mandelës’ dhe refuzon kthimin e tyre,

Por, “Mandela” vihet në lëvizje dhe rrëmben njerkun e Toskës, Petrit Kumrian. Ai e mban në këtë banesë, e cila ishte shtëpia dhe baza e bandës së Eduart Peqinit. Kumria u torturua për ditë me radhë në bodrumin e banesës. Por, sërih Toska refuzoi kthimin e kufomave duke detyruar “Mandelën”, të eleminojë njerkun e tij. Ai u dërgua në bregun e Shkumbinit nga Vladimir Peqini, Dashamir Bristi dhe tre persona të tjerë.

Ata hapën një gropë buzë lumit shkumbin ku e futën të gjallë. Më pas, qëlluan me kallashnikov duke e lënë të vdekur, e më pas e mbuluan trupin.

“Ka qenë një situatë kaotike, ku shumë krime po ti mendosh sot janë të palogjikshme, dhe këta brezi që kanë lindur pas ‘95 po ti dëgjojnë do na thonë nuk keni qenë njerëz që keni kryer këto veprime sepse është cdo gjë jashtë logjikës njerëzore”, u shpreh avokati Alban Qafa

Pas këtyre ngjarjeve “Banda e Mandelës”, u shndërrua në tmerrin e zonës. Grupi nisi grabitjet ndaj qytetarëve. Ata dilnin në një postbllok në unazën e qytetit dhe në një tjetër postbllok në zonën e “Mirakës”, pranë tunelit.

“Grabitjet i bënte në tunelin e Mirakës, ku grabisnin furgona mallrash dhe pasagjerësh. Këta kanë pasur nivelin më të ulët të grabitjes, pasi këta grabisnin edhe portofolat e njerëzve’ u shpreh avokati, Alban Qafa

Pas përplasjes me “Bandën e Cërrikut”, ‘Mandelat” u bënë të njohur në qytetet për mënyrën agresive sesi operonin. Ata u përfshirë në dhjetëra krime të tjera. Grabitën qindra automjete dhe qytetarë, por, organet ligjzbatuese arritën të zbardhnin vetëm një rast, duke lënë shumicën e grabitjeve të pazgjidhura.

I pandehuri D. L, i pa maskuar u ka bërë shenjë të ndalonin dhe të zbrisnin nga makina duke ju drejtuar armët. Dëshmitarët kanë zbritur të frikësuar nga makina ndërsa i pandehuri D. L i ka marrë nga xhepi Xh. P 40.000 lekshin dhe orën e dorës, ndërsa M. B 70.000 leke.

Përveç grabitjeve, banda kreu edhe dy vrasje të rastësishme ndaj personave me të cilët nuk kishin asnjë konflikt. Në një rast, një nga anëtarët e bandës qëlloi nga ballkoni i një banese pranë doganës në drejtim të ullishtës, duke vrarë një person pa asnjë motiv. Pra, ai po testonte aftësinë në qitje tek një njeri i pafajshëm.

Ndërkohë, një tjetër u ekzekutua pasi nuk iu bind një postblloku të ngritur nga anëtarët e bandës, të cilët hapën zjarr mbi automjetin e tij.

Kryetarja e Apelit të GJKKO: Bandat e armatosura evoluan drejt krimit të organizuar…

Banda e “Mandela-s” veproi me intensitet kriminal nga prilli i vitit 1997 deri në shtator të vitit 1998. Me rivendosjen e rendit, disa nga anëtarët e bandës u arratisën jashtë Shqipërisë, disa u arrestuan, ndërsa të tjerë u ekzekutuan.

“Në vitin 1997 u hap shkolla e Magjistraturës, çka ishte një mesazh për vetë krimin, pra shteti dha mesazhin e fortë, që ne do reagojmë. Pra u hap shkolla e Magjistraturës filloi të funksionojë , dhe u përgatitën gjyqtarët dhe prokurorët e parë që do përballeshin pikërisht me krimin e organizuar”, u shpreh Saida Dollani, Kryetare e Apelit e Gjykatës Posaçme.

“Nuk mund të themi që s’ka më grupe kriminale, shoqëria kështu është do ketë gjithmonë njerëz që do tentojnë apo do shkelin ligjin. Por, e rëndësishme është që shoqëria ti përballojë me sukses. Në rradhë të parë duhen marrë masa për ti parandaluar për ti përmirësuar, dhe ajo që është më e rëndësishme mos të bëhen recetiv, pra mos përsëriten këto krime”, u shpreh Ardit Kuka, gjyqtare ne Gjykatën Juridiksionit të përgjithshëm Elbasan

Mandela, me dy nga vëllezërit dhe me të besuarin e tij, më mizorin e bandës “Murrashin”, u largua drejt Greqisë. Atje ai sulmua disa herë. Në vitin 1999, Murrashi u gjet i pajetë, i masakruar me thikë në një pusetë. I kërcënuar nga i njëjti fat, Mandela u arratis në Itali e më pas në Francë. Brenda dy vitesh, u kthye në trafikantin kryesor të qenieve njerëzore atje.

Ai organizoi kalimin e mijëra emigrantëve nga Franca në Angli, duke ndërtuar një rrjet të fuqishëm kriminal, ku siguroi një pasuri prej mbi 2 milionë eurosh.

“Krimi i organizuar do e gjente rrugëdaljen e tij do vazhdonte të vepronte, kështu që u riformua në një tjetër dimension, dhe nga banda të armatosura, u kthyen në grupe kriminale që filluan të zhvillonin aktivitetin duke pastruar produktet kriminale në veprimtari të ligjshme, çka morën në fakt edhe një tjetër formë të organizimit”, u shpreh Saida Dollani, Kryetare e Apelit e Gjykatës Posaçme.

Pas kapjes në Francë, pasuria iu sekuestrua. I vetëquajturi “Mandela”, u ekstradua për në Shqipëri. Sot e kësaj dite ai ndodhet prapa hekurave ku vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

“Në vitin 1997, kur Shqipëria kaloi në një periudhë anarkie, ranë strukturat shtetërore, policia, ishin tre grupe kriminale kryesore më të spikatura në qarkun e Elbasanit, ishte banda e Cerrikut, ishte banda e Mandelës, ishte dhe banda e Kateshit”, u shpreh Ardit Kuka, gjyqtar ne Gjykatën Juridiksionit të përgjithshëm Elbasan