ADA HAZIZOLLI/ Kjo javë do të shënojë edhe fillimin e vaksinimit për personat mbi 65 vjeç si edhe ata mbi 60 vjeç që vuajnë nga sëmundje kronike.
Nga Fieri, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se me mbërritjen e dërgesës së radhës me vaksina nga “Pfizer”, si edhe sasisë së dytë me vaksina kineze “CoronaVac”, do të bëhet e mundur edhe ulja e fashës.
“Janë mbi 125 të moshuar të vaksinuar deri sot në qytete dhe në të gjithë fshatrat dhe zonat e thella, në ambulanca, pra, kemi bërë një shpërndarje 100% të vaksinave. Presim që java që vjen të kemi sërish vaksina të ‘Pfizer’ dhe gjithashtu serinë e ardhshme të ‘Sinovac’ që brenda javës që vjen pritet të mbërrijë për të hapur kështu dhe fashën +65, edhe +60 me të sëmurët kronikë”, tha Manastirliu.
Në harkun e pak ditëve, qeveria ka zgjeruar kategoritë që janë në radhë për vaksinimin duke devijuar nga Plani Kombëtar i Vaksinimit. Kështu, pa përfunduar mirë me mjekët, u njoftua fillimi i procesit të vaksinimit për të moshuarit mbi 80 vjeç, më pas në radhë u vendosën mësuesit dhe njëkohësisht me ta u ul pragu moshor për të moshuarit, nga 80 vjeç në mbi 70 vjeç.
Por kur nuk ka përfunduar procesi as për bluzat e bardha, as për të moshuarit mbi 70 vjeç dhe as për mësuesit u thirrën për vaksinën punonjësit e policisë dhe gazetarët. Ndonëse thirrja ishte për gazetarët dhe operatorët e terrenit, nuk munguan shfaqjet me injektim të dozës nëpër studio televizive.
TË DHËNAT
Jo më larg se dje u tha që brenda kësaj jave, procesi do të startojë për personat mbi 60 vjeç.
Nga të dhënat e INSTAT, janë 185 289 persona, të cilët i takojnë grupmoshës nga 60 deri në 64 vjeç, ndërsa 142 324 të tjerë i takojnë grupmoshës nga 65 deri në 69 vjeç. Pra, gjithsej 327 613 mijë persona, që po ashtu do të njoftohen për vaksinën.