Nis kremtimi i Pashkëve Katolike/ Ruçi : Pashkët simbolizojnë rilindjen, besimin dhe triumfin e jetës

0

Besimtarët Katolikë kanë nisur kremtimin e Pashkës në Katedralen e Shën Pjetrit në Tiranë.

Me maska dhe me një pjesëmarrje të ulët ata kryen ritualin e përvitshëm, pasi pandemia nuk lejon grumbullimet masive.

Për shkak të orës së policore e cila mbyllet në 20:00, mesha u mbajt në orën 17:00 në Katedralen e Shën Palit, me synimin që qytetarët të kenë mundësi për t’u kthyer në shtëpi para orës 20:00.

Mesha në katedralen e Shën Palit u mbajt nga Kryeipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo, ku u vu re një numër i pakët i besimtarëve të krishterë për t’iu përmbajtur rregullave dhe masave anti-Covid-19.

Ndërkohë Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka uruar me një mesazh të gjithë besimtarët katolikë dhe gjithë shqiptarët me rastin e ditës së Pashkëve. Ruçi u shpreh se Pashkët e frymëzojnë pasi e mira mund të keqen dhe triumfon jeta.

“Është i dyti vit rradhazi që Pashkët i kremtojmë, shpirtërisht të gjithë bashkë, dhe individualisht në vatrat familjare. Një gjë është e sigurt: Pashkët dhe ngjarjet e tjera në muajt që vijnë do t’i festojmë ashtu si e kemi traditën, duke gëzuar dhe duke u përqafuar me njeri-tjetrin. Viti midis dy Pashkëve ka qenë një vit dramatik dhe i vështirë, që na kufizoi nga mjaft gëzime të jetës. Por njëkohësisht vuri në provë fuqinë tonë shpirtërore e njerëzore, solidaritetin dhe dashurinë për njeri-tjetrin.

Pashkët simbolizojnë rilindjen, besimin dhe triumfin e jetës. Pashkët na frymëzojnë se e mira mund të keqen dhe shpresa mund dëshpërimin. Pandemia na imponoi distancën nga njeri-tjetri, por na afroi më shumë shpirtërisht. Pandemia na kufizoi, por ne duket se po e sfidojmë atë. Bashkë me urimin shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për Kishën Katolike dhe besimtarët katolikë për mbështetjen dhe frymëzimin e të gjithë shqiptarëve në këtë betejë që na u imponua, në mes të gëzimeve, punëve, detyrave e misioneve tona. Gëzofshi të gjithë në vatrat familjare!”, shkruan në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu