Rreth 500 emigrantë meshkuj të rritur do të strehohen në një anije në bregun e Dorset, Angli në muajt e ardhshëm.
Qeveria britanike ka konfirmuar planin e ri, i cili është kritikuar shumë nga grupet lokale, organizatat bamirëse të refugjatëve dhe konservatorët.
Zyra e Brendshme thotë se anija me 222 dhoma e quajtur Bibby Stockholm do të jetë “dukshëm më e lirë se hotelet”.
Anija trekatëshe, e cila do të jetë e vendosur në Portin Portland pranë qytetit bregdetar të Weymouth, do të përdoret për të strehuar emigrantët ndërsa ata janë duke pritur që kërkesat e tyre për azil të shqyrtohen. Ajo do të jetë funksionale për të paktën 18 muaj. Home Office thotë se përveç ofrimit të akomodimit bazë dhe funksional, kujdesit shëndetësor dhe hotelierisë anija e ankoruar do të ketë siguri në bord për të minimizuar përçarjet në komunitetet lokale. Anija thuhet se ka dhoma me banjo, një dhomë TV dhe lojëra dhe një palestër.
Kjo është hera e parë që emigrantët do të strehohen në një anije të ankoruar në Mbretërinë e Bashkuar. Zyra e Brendshme tha se ishte në diskutim me portet e tjera për strehimin e emigrantëve në anije të tjera. Kryeministri Rishi Sunak ka thënë se ky plan i ri strehimi do të shërbejë për kursimin e parave të taksapaguesve britanikë. Pasi qeveria thotë se kushton më shumë se 6 milionë paund në ditë për të strehuar emigrantët në hotele.
Ky plan i ri strehimi vjen disa javë pasi qeveria britanike njoftoi planet për të trajtuar kalimet me gomone përmes projektligjit të imigracionit të paligjshëm. Sipas legjislacionit kushdo që zbulohet se ka hyrë ilegalisht me gomone në Mbretërinë e Bashkuar, jo vetëm që do të largohet nga vendi brenda 28 ditëve, por gjithashtu do të bllokohet nga kthimi ose pretendimi i nënshtetësisë britanike në të ardhmen.
Nga 43,794 mbërritjet me gomone në vitin 2022, 28 për qind ishin shtetas shqiptarë. Në vitin 2022, 14,223 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e aplikantëve shqiptarë në vitin 2022 (83 për qind) ishin meshkuj të rritur.