Një avion i ushtrisë amerikane rrëzohet në Australi

0

Një incident “tragjik” në të cilin është përfshirë një fluturake e ushtrisë amerikane ka ndodhur në veri të Australisë gjatë stërvitjeve ushtarake të dielën, tha kryeministri australian, Anthony Albanese.

Ai tha se Qeveria e tij është e përqendruar që të ofrojë mbështetje.

Transmetuesi Sky News Australia raportoi se transportuesi ushtarak i llojit v-22 Osprey, në të cilin gjendeshin afër 20 marinsa amerikanë, u rrëzua në brigjet e Darvinit.

Ndërkaq, ABC në Australi tha se një person është në gjendje kritike, dy janë në gjendje stabile, duke shtuar se nuk ka raportime për viktima.

Gjatë një konference për media, Albanese refuzoi të jepte detaje se si ndodhi incidenti apo për përpjekjet e shpëtimit, që tha se po zhvillohen në ishullin Melville në veri të Darvinit.

“Fokusi jonë si Qeveri dhe si departament i mbrojtjes është që të reagojmë për incidentin dhe të sigurohemi se do të jepet çdo mbështetje e nevojshme në këtë kohë të vështirë”, tha ai.

Albanese shtoi se personeli australian nuk ishte i përfshirë në incident.

Policia e Territorit Verior njoftoi më herët se është përgjigjur raportimeve për rrëzimin e një fluturakeje në ishullin Meville.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se është në dijeni për raportimet mediale për këtë çështje, “por ne nuk kemi informacione që mund të ndajmë për momentin”.

SHBA-ja dhe Australia viteve të fundit kanë rritur bashkëpunimin ushtarak.

Katër ushtarë australianë u vranë muajin e kaluar gjatë stërvitjeve dypalëshe, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin, u rrëzua në oqean, afër brigjeve të Kuinslendit./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu