Në një kohë kur një ditë më parë selia blu gumëzhinte nga debatet dhe kërkesa për dorëheqje, Sali Berisha ka dalë sot për të “qetësuar” ujërat, duke siguruar se në Partinë Demokratike nuk ka asnjë përçarje dhe se mbledhja e djeshme ka qenë pozitive dhe e suksesshme. Sipas tij, gjithçka ka shkuar më së miri, me fokus të plotë te misioni i madh i PD-së: liria, familja dhe Shqipëria.
Ndërsa jashtë mureve të selisë vazhdojnë të dalin detaje për debate maratonë, akuza për tradhti, bashkëpunime të dyshimta, emra bandash, përplasje personale dhe kërkesa për largime nga postet drejtuese, lideri historik i demokratëve përpiqet t’i sfumojë ato duke “pikturuar” një tablo uniteti dhe qetësie.
Sipas tij, partia është e bashkuar, e vendosur dhe e orientuar drejt fitores, pavarësisht se kush zgjedh të largohet, të heshtë apo të flirtojë me qeverinë.
“Nuk ka një përçarje, ju garantoj”, tha Berisha mes të tjerash.
Kjo deklaratë e tij vjen pas një mbledhje 5 orëshe të shoqëruar me ngritje zëri, akuza dhe përplasje të forta mes figurave kryesore të partisë. Por, sipas Berishës në selinë blu gjithçka është nën kontroll, nuk ka përçarje, nuk ka krizë, vetëm misionarë të demokracisë që, mes debateve publike dhe dyerve të mbyllura, po ecin të bashkuar drejt idealit të madh.
Deklarata e Berishës:
Faleminderit shumë. Ju siguroj se mbledhja ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe pozitive. Rendi i ditës i kësaj mbledhje ishte qëndrimi i PD-së pas vendimeve shkatërrimtare për luftën kundër korrupsionit të Edi Ramës.
Ishte thirrja e Këshillit, mbledhjes së Këshillit Kombëtar, për vonesën e të cilit ka patur kritika, por siç kam theksuar dhe theksoj përsëri, ajo vonesë ka patur lidhje vetëm me një faktor. Dhe ky faktor ka qenë raporti ndërkombëtar për zgjedhjet, mbasi Edi Rama po bënte një betejë të egër kundër vëzhguesve dhe do përdorte çdo lloj diskutimi që mund të bënin ne brenda, për t’u fakt, për t’u thënë atyre që këta e kanë fajin vetë dhe jo unë që ju kam vjedhur zgjedhjet.
Dhe është vepruar shumë drejtë. U ripërsërit për herë të dytë. Mbrojtja e votës.
U mbrojt e 2001-shit, u mbrojt e 2025-it. Dhe kjo ishte një detyrë shumë e vështirë, por që u realizua plotësisht në interesin e çdo shqiptari.
Nuk ka një përçarje, ju garantoj. Po, pas zgjedhjeve pati të quajtur demokratë që hanë turpin me bukë dhe vrapuan e u punësuan në administratën e krimit. Pati të tjerë të cilët vendosën të mos merren më me politikë, por të ndjekin jetën e tyre. Pati të tjerë të cilët flirtojnë me qeverinë për kontratat që kanë.
Por unë dua t’ju them ju që absolutisht kjo parti ka dhe do ketë vetëm një qëllim; Idealin tuaj të lirisë, rikthimin e votës së lirë dhe fitoren e PD-së. Kjo parti s’mund të qëndrojë dhe nuk do të qëndrojë për kontratat e asnjë njeriu. Jo. Kontrata jonë është me qytetarin shqiptar, për lirinë, për familjen, për Shqipërinë.
Kjo është për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë. Ndaj dhe asnjë shqetësim i dashur mik nuk duhet të kesh.
Ata që zgjedhin për t’u bërë zhurmues në favor të Edi Ramës duke mashtruar, duke manipuluar elementë që kanë punuar haptas kundër PD-së, kanë punuar për deputetë të Partisë Socialiste, madje kanë dalë dhe kandidatë në bashkinë e Tiranës kundër kandidatit të Partisë Demokratike.
Ata janë fals. Nuk janë demokratë, s’kanë asgjë të përbashkët me idealet tuaj të dashur mik, as me të miat. Por dhe njëherë, kjo është koha e misionarëve. Fat të madh kanë ata që pranojnë misionin, dhe do fitojnë.





