Një anëtar i rrezikshëm i një grupi kriminal kishte planifikuar të ekzekutonte ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nanon.
Informacioni është bërë së fundmi publik, teksa raportohet se i gjithë plani ka dështuar pasi është zbuluar nga policia e shtetit.
Bëhet fjalë për një plan që është zbuluar rreth 3 muaj më parë për të cilin vijojnë hetimet sekrete. Paraprakisht dyshimet janë se plani për vrasjen e ish-kryepolicit është bërë për shkak të hetimeve që Nano ka bërë për të njëjtin grup në kohën ishte drejtues i Antiterrorit.
Megjithatë, pavarësisht se policia ka pasur dijeni për këtë gjë, nuk e ka vënë në dijeni për situatën ish-drejtorin Nano. Nano jo vetëm që nuk është vënë në dijeni nga Policia, por ndaj tij dhe familjes nuk janë shtuar as masat mbrojtëse nga policia e shtetit.
Kujtojmë që Nano u shkarkua si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 31 gusht 2022 vetëm pas 10 muajsh në detyrë, me argumentin e qeverisë se nuk kishte realizuar objektivat dhe deri sot ende ndodhet jashtë policisë së shtetit.
Gledis Nano vjen nga një karrierë 19-vjeçare në Polici, ku para se të emërohej kryepolic, drejtoi për 5 vite Antiterrorin, ku u vlerësua edhe nga Ambasada amerikane për përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit.
Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia. Pak ditë më parë Nano ishte në një vizitë në SHBA. Gazeta Shqip