‘Një nga digat më të larta në botë’! Edi Rama viziton HEC Moglicë

0

Nis shitja e energjisë nga HEC-i i Moglicës, hidrocentrali më i madh në projektin hidroenergjetik të Devollit duke shënuar kështu një tjetër zhvillim të rëndësishëm në fuqizimin e sistemit elektro-energjetik në Shqipëri.

I pranishëm sot për të parë nga afër veprën gjigante që është ndërtuar ishte kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjisë Belinda Balluku. Diga e Moglicës është me një lartësi prej rreth 167 metra, një nga më të lartat në botë në llojin e vet, sipas kryeministrit. Mbushja e rezervuarit të Moglicës filloi në qershor 2019.

HEC-i e merr ujin nëpërmjet një tuneli rreth 11 KM të gjatë nga rezervuari i Moglicës, i cili është i pari i llojit të vet në Shqipëri. Ky hidrocentral ka një kapacitet të instaluar prej rreth 184 MW dhe prodhim mesatar vjetor prej 450 Gwh, çka do të rrisë kapacitetin prodhues në vend.

Moglica është një nga dy hidrocentralet e Kaskadës së Devollit, përveç atij të Banjës, i cili është në operim prej vitit 2016. Investimi për këto 2 hidrocentrale përllogaritet në mbi 530 milionë euro dhe mundëson rritjen e prodhimit të energjisë në Shqipëri me 17%.

Kryeministri Edi Rama tha se fuqizimi i mëtejshëm i sistemit shqiptar të energjisë do të vijojë me Skavicën, vepra madhore e mbetur në sirtar prej më shumë se gjysëm shekulli, e cila do të nisë të ndërtohet vitin e ardhshëm pas përfundimit këtë vit të projektit të detajuar inxhinierik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu