Rrëfimi i një gruaje shkodrane, dje të dhunuar nga bashkëshorti, ndërsa sot me zërin e fortë të protestës ndaj të gjitha grave që mund të kenë heshtur si ajo dikur. Gruaja rrëfen se është dhunuar edhe gjatë shtatzënisë.
Që prej kohës kur mbeti shtatzënë, e deri më sot, nëna e dy fëmijëve nuk ka kaluar asnjë ditë të qetë. Momenti më i vështirë për të do të mbetet humbja e foshnjës së palindur, për shkak të dhunës barbare nga ish-bashkëshorti.
“Dhuna në familje tek unë ka filluar që kur kam ngel shtatzënë deri ditën kur jam ndarë. “Non stop”, dhunë fizike dhe psikologjike. Më tepër ka qenë dhuna fizike për mosardhjen në jetë të fëmijëve dhe probleme të ndryshme, pijet alkoolike…dhuna ka qenë sistematike. Shumë here kam shkuar për lindje të parakohshme në spitale, por nuk kam pas forcën për të bërë denoncim….”, tregon gruaja.
Por, çfarë e pengonte 40-vjeçaren të bënte denoncim?
“Ai më thoshte të vras vëllanë. babën, vazhdimisht ky presioni, duke hëngër këtë presion kam qendrur nën dhunë. Unë për vete e kam duruar, por kur erdhi puna tek fëmijët thashë “Stop!”. Fëmijët ishin të porsalindur ai i shkapiste se nuk dinte ca bënte kur ishte me kriza, rrihte njërin e rrihte tjetrin. Nuk e kam denoncuar asnjëherë në polici se kam pasur frikë gjithmonë dhe unë gjithmonë kam luftuar e vetme”, vijon ajo.
Presioni ndaj gruas së dhunuar për vite me radhë, vijon edhe sot. Edhe pse ajo është divorcuar, edhe pse po i rrit 2 fëmijët e saj në një qendër sociale, mes vështirësish të papërshkrueshme…
Po vazhdon edhe sot edhe pse ka 6 vite që jam ndarë, por sot nuk e kam më frikë…Njeriu duhet me qenë vetvetja se kur nuk je vetvetja nuk mundesh me bë asgjë. Unë e kam bërë për hatrin e fëmijëve…
40-vjeçarja, u bën thirrje grave të mos bëjnë gabimin e saj, por t’u ikin kthetrave të dhunës
“Në radhë të parë të jenë vetvetja të marrin forcën, të shohin dhe ardhmen e fëmijëve. Sepse nëse të bën presion në familje, asgjë nuk e gjen askënd. Po kështu frika tjetër e femrave është se pasi të ndahen mbeten pa shpi, por duhet tu drejtohen qendrave, sepse shtet nuk kemi me na mbështet nga ana financiare. Gruaja duhet të gjejë forcën, sepse kur ka dhunë në familje çdo gjë tjetër ka marrë fund”, rrëfen mos emocionesh nwna e 2 fwmijwve.
Një apel të fortë, nëna e dy fëmijëve e ka edhe për shtetin
“Shteti thotë “dil e puno”, por nuk merr parasysh se gratë e dhunuara mund të kenë fëmijë të vegjël dhe nuk kanë ku ti lënë… Çdo apel për ndihmë nga shteti deri tani ka rënë në vesh të shurdhët, por e mira është që edhe media ta trajtojë këtë teme sepse zëri i grave të dhunuara duhet të dëgjohet!/