Tërësia e fenomeneve politike të lidhura me rritjen e integrimit ekonomik, social dhe kulturor midis zonave të ndryshme të botës ka përcaktuar edhe globalizimin e organizatave të mëdha kriminale të llojit mafioz. Në Europë kemi ‘Ndrangheta-n’, mafian shqiptare, Camorra-n (ajo e Casalesi), mafian siciliane, mafian ballkanike. Në Azi kemi mafian ruse, kineze (triada), japoneze (yakuza), izraelite dhe atë turke.
Në Afrikë, mafian nigeriane, marokene, tuniziane. Në Amerikë vepron Cosa Nostra amerikane, mafia meksikane, mafia kolumbiane dhe ajo xhamajkane. Në Oqeani, ‘Ndrangheta, me praninë e mafies ruse, shqiptare dhe nigeriane.
Të gjitha këto mafia aktualisht kanë një dimension transnacional dhe janë përshtatur në mënyrë të përkryer me globalizimin në shkallë botërore. Ata kanë hequr dorë nga bizneset më pak fitimprurëse (prostitucioni, lojërat e fatit, zhvatja) dhe janë bërë të orientuar drejt tregut ndërkombëtar.
Ato fokusohen në biznese shumë fitimprurëse duke filluar nga trafiku i drogës dhe armëve te organet dhe qeniet njerëzore, nga emigracioni te trafikimi i mbetjeve radioaktive, nga mbetjet e rrezikshme dhe jo të rrezikshme te burimet e reja të energjisë. Ata kanë bërë aleancë me njëri-tjetrin, duke krijuar një “sistem kriminal botëror” të vërtetë, me rregullat e tyre dhe balancën e pushtetit, të bazuar jo vetëm në dhunë, por edhe në fuqinë ekonomike dhe financiare.
Falë diplomacisë së tyre, mafiet nuk bëjnë më luftë, por ndajnë në heshtje biznesin edhe në nivel global. Sot ka një “gjeopolitikë mafioze” dhe është mirë që së shpejti të ndërgjegjësohemi për të në nivel ndërkontinental. Në disa vende të planetit nuk është më e mundur të fitohen zgjedhjet pa marrë parasysh mbështetjen e organizatave të mëdha mafioze që përfaqësojnë forcat reale politike dhe ekonomike të afta për të ndikuar në institucione të caktuara të një shteti dhe sektorë të ekonomisë. Vëmendja e forcave qeveritare dhe shoqërisë civile drejtohet gjithnjë e më shumë drejt asaj që duket dhe gjithnjë e më pak drejt asaj që nuk shihet.
Kuptimi i metamorfozave të reja globale të krimit të organizuar paraqet bazën fillestare për të vepruar më pas në luftën efektive të të njëjtit. Mafiat e reja duhet të studiohen gjatë evoluimeve të tyre të vazhdueshme, për rrjedhojë, për të analizuar diçka që nuk shihet, nevojiten mjete dhe njerëz kompetentë për ta bërë këtë. Për të studiuar një tumor, ju duhet një onkolog, jo një ortoped. Për të studiuar mafiet e reja nevojiten ekspertë të trajnuar dhe të përgatitur siç duhet. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të injorojë më sfidat e reja të krimit të organizuar global që vijnë mbi të gjitha nga infiltrimi në sistemin ekonomik dhe financiar.
Prandaj, kombet duhet të zhvillojnë strategji efektive për të kontrolluar ekonominë e paligjshme që sillet rreth krimit të organizuar transnacional. Mafiat kryesore botërore (italiane, ruse, kineze, japoneze dhe amerikano-jugore) përbëjnë fuqinë e tretë ekonomike botërore dhe janë të afta të përmbysin rregullat e tregut, të kushtëzojnë ekonominë legale dhe demokracinë.
Korrupsioni bëhet një fenomen mbizotërues dhe përgjithësisht i pranuar nga shumica e shoqërisë civile. Rezultati është pranimi gradual i krimit të organizuar. Nëse ky evolucion do të vazhdonte globalisht, shtetet së shpejti nuk do të jenë në gjendje të garantojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve të tyre.
Nëse situata që po krijohet është kjo, pa ndërhyrje të reja rregullatore në sferën evropiane dhe ndërkombëtare mbi politikën, ekonomitë okulte dhe parajsat fiskale, duke filluar nga prishja e marrëdhënieve ekonomike dhe embargove financiare, ne nuk do të shkojmë askund. Kërcënimet reale janë ato që ende nuk janë perceptuar nga organet e sigurisë të shteteve individuale.