Një tërmet me magnitudë 5.2 Rihter ka goditur mbrëmjen e sotme Santorinin. Ky është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar deri më tani në rajon. Epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi 11.2 kilometrash, 16 kilometra në jug-jugperëndim të Arkesinit, Amorgos. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Kretë. Pak më herët dy tërmete po ashtu të fuqishme goditën sërish ishullin, ndërsa pasgoditjet e këtij më të fundit vijojnë.
Mesditën e djeshme, një tjetër tërmet me magnitudë 5 ballë të shkallës Rihter ka goditur ishullin. Tërmeti në fjalë e kishte epiqendrën 22 kilometra në jug, në jugperëndim të Arkesinit, Amorgos dhe një thellësi fokale 13 kilometra.
Në një njoftim të lëshuar sot, Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës (NKUA) raportoi se mbi 6,400 tërmete kanë ndodhur në zonën Santorini-Amorgos nga 26 janari deri më 3 shkurt. Siç u përmend, aktiviteti sizmik ka ndoshta karakteristikat e një tufe sizmike, pasi nuk dallohet asnjë tërmet me magnitudë qartësisht më të madhe se të gjithë të tjerët, që mund të karakterizohet si tërmet kryesor.
Përsa i përket shkallës së sizmicitetit, ai është në rritje, ndërsa sekuencat passizmike karakterizohen nga një shpërndarje kohore në rënie e tërmeteve. Raporti thekson se shpërthimi sizmik i vëzhguar po ndodh brenda harkut vullkanik aktiv të Egjeut Jugor, nuk lidhet drejtpërdrejt me ndonjë qendër të njohur vullkanike.
Lidhur me evolucionin e fenomenit, Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës raporton se “një mundësi është që veprimi i tij të vazhdojë por me magnitudë më të vogël dhe një numër më të vogël tërmetesh, por do të zgjasë për shumë muaj”.
Megjithatë, një mundësi e dytë është që kjo tufë tërmetesh të stimulojë çarjen e një pjese të konsiderueshme të një thyerjeje të madhe aktive në rajon, duke shkaktuar kështu një tërmet kryesor dhe më pas aktiviteti të marrë formën e një sekuence tipike pasgoditjesh.