Numri i llogarive bankare arrin në 3.11 milionë, u rrit me 2% vitin e kaluar

0

TIRANË- Numri i llogarive bankare u rrit për të dytin vit radhazi në 2022. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri total i llogarive bankare në fund të vitit ishte rreth 3.11 milionë, me një rritje prej 2% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar, numri i llogarive aktive në sektorin bankar është zgjeruar me afërsisht 61 mijë të tilla. Numri i llogarive bankare është rritur në të gjitha segmentet kryesore të klientëve, te individët dhe bizneset rezidente apo jorezidente.

Llogaritë e individëve rezidentë arritën në afërsisht 2.82 milionë, me një rritje vjetore prej 1.5%. Llogaritë e individëve ndoqën një prirje të dukshme rënëse në periudhën 2016-2020, çka reflekton uljen e numrit të bankave në treg, por ndoshta edhe emigracionin dhe zhvillimet e pafavorshme demografike.

Pas vitit 2021, numri i llogarive të individëve i është kthyer rritjes, por ngelet ende larg nivelit maksimal prej 3.24 milionë, që ishte regjistruar në vitin 2016.

Vitin e kaluar, rritja e numrit të llogarive të bizneseve rezidente ishte në përmasa ndjeshëm më të larta, me 6.2% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në total, bankat raportojnë 239 mijë llogari të bizneseve rezidente në Shqipëri, vlera më e lartë historike.

Ndërkohë, numri i llogarive të jorezidentëve u rrit me ritme të larta edhe vitin e kaluar, me 12.6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Numri i përgjithshëm i tyre arriti në më shumë se 50 mijë dhe llogaritë jorezidente përbëjnë rreth 1.6% të numrit të përgjithshëm të llogarive në bankat shqiptare. Llogaritë e jorezidentëve dominohen kryesisht nga individët, me 96% të totalit.

Numri i llogarive bankare në Shqipëri arriti numrin më të lartë në vitin 2016, me pothuajse 3.5 milionë. Në periudhën 2016-2020, numri i tyre pati pësuar rënie të vazhdueshme, ndërsa pas vitit 2021 shënohet një tendencë e re në rritje.

Megjithëse numri i llogarive bankare në Shqipëri është më i lartë në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë, në vetvete kjo nuk ka domethënie shumë të madhe për të kuptuar depërtimin e llogarive bankare në shoqëri. Ndërsa shumë shqiptarë kanë disa llogari bankare, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë madhore ende nuk e ka një të tillë.

Në analizat e fundit, që i takojnë vititi 2022, Banka e Shqipërisë vlerëson se numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 66%, nga rreth 40% që vlerësohej ky tregues në vitin 2017.

Megjithë rritjen e ndjeshme në vitet e fundit, një pjesë ende e madhe e shqiptarëve në moshë madhore nuk zotërojnë ende një llogari bankare. Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin për llogarinë bazike të pagesave, që reflekton direktivën përkatëse të Bashkimit Europian, projektligj që është hedhur për konsultim publik edhe nga qeveria shqiptare dhe pritet që këtë vit ti propozohet për miratim Kuvendit.

Projektligji parashikon se llogaria e pagesave me shërbime bazike do tu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të arsyeshme, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.

Sipas projektligjit, tarifë e arsyeshme do të konsiderohet tarifa e cila nuk tejkalon 50% të nivelit mesatar të tarifës së aplikuar nga subjekti, për të njëjtat shërbime të ofruara nëpërmjet një llogarie të zakonshme pagesash.

Megjithatë, bankat do të jenë të detyruara t’i ofrojnë shërbimet e pagesave me tarifë zero, për kategoritë që i përkasin grupit të konsumatorëve të cilët përfitojnë nga të drejtat e parashikuara në legjislacionin që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë.

Këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë, përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike, përfituesit e pagesës për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar, përfituesit e pensioneve urbane dhe rurale në skemën e sigurimeve shoqërore, përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë, por edhe për kategori të tjera të përcaktuara me vendime të posaçme nga Banka e Shqipërisë.

Marrë nga Monitor.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu