Nxënësit e shkollës “Onufri” ekspozuan punimet e tyre në muret e kalasë

0
Screenshot

Nxënësit e shkollës “Onufri” ekspozuan punimet e tyre në muret e kalasë
Në përfundim të rrugëtimit të tyre trevjeçar, nxënësit e talentuar të Shkollës artistike “Onufri” në Elbasan sollën një atmosferë unike artistike brenda mureve historike të Kalasë së qytetit, duke ekspozuar punimet e tyre më të mira në pikturë dhe skulpturë.
Ngjyrat, portretet dhe format plastike u shkrinë në qetësinë e lashtësisë së kalasë, ndërsa vizitorët , artdashës, turistë dhe pedagogë u shoqëruan nga tingujt e muzikës klasike, që shtuan hijeshinë e kësaj ngjarjeje kulturore.

Kjo ekspozitë është një dëshmi se tradita artistike e Elbasanit vijon të ruhet dhe të rritet përmes brezave të rinj, pohoi mësuesi i shkollës “Onufri”, Vladimir Caridha.
Nxënësit ndihen mirënjohës për mbështetjen e pakushtëzuar të familjes gjatë këtij rrugëtimi, por sugjerojnë se mbështetja institucionale në fushën e artit do të duhet të jetë më e madhe.

Ky aktivitet shërben jo vetëm si një kulmim i procesit mësimor, por edhe si një ftesë për komunitetin që të njohë dhe të vlerësojë artin që lind dhe zhvillohet në gjirin e qytetit.