Olsi Rama në SPAK për “Xibrakën”/ Kryeministri: Nuk ka pasur fare kallëzim. Bardhi: Vëllai i vogël i Edi Ramës gënjeu!

0

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe kryeministri Edi Rama kanë reaguar pasi, Olsi Rama u paraqit në SPAK pas kallëzimit nga për dosjen e “Xibrakës”.

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka pasur fare kallëzim për vëllain e tij Olsi Rama nga deputeti Gazment Bardhi për çështjen e “Xibrakës”.

‘A ju kujtohet kur thoshte “kallzim more kallzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?! Kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallzuar, t’i bënte kallzim për kallzim të rremë. Mirëpo ja që s’paska qenë kallzim i rremë sepse s’paska qenë fare hiç kallzim, po një tjetër kërcim i çingijes në prehërin e tutorit të ri lart në ballkon.

Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallzim që nuk ekziston! Fatmirësisht SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehërin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallzimin e paqenë!’, shkruan Rama.

Sipas Bardhit, Olsi Rama gënjeu duke thënë se e ka përdorur vetëm një herë makinën e trafikantëve të drogës në Xibrakë.

Kreu i grupit parlamentar të PD shton se Olsi Rama e ka përdorur disa herë makinën e trafikantëve.

“Por, sot vëllai i vogël i Edi Ramës gënjeu sërish publikisht kur tha se e ka përdorur vetëm njëherë narkomakinën AA 653 DM. Të dhënat zyrtare të sistemit TIMS dokumentojnë të kundërtën, se ai ka përdorur të paktën 7 herë narkoautomjetin AA 653 DM për daljet e tij jashtë vendit gjatë periudhës kur ndërtohej laboratori i drogës në Xibrakë”, shkruan Bardhi ndër të tjera.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu