ELBASAN – Shërbimet e Policisë së Shtetit kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Alert”, duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në pranga ka rënë shtetasi J. B., 53 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tij është kryer në aksin rrugor Elbasan–Peqin, si rezultat i bashkëpunimit të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimeve të Qarkullimit Rrugor, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Akuzat dhe procedurat ligjore
Shtetasi J. B. ishte person i shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle, pasi Gjykata Juzgado Central de Instrucción n.º 1 – Audiencia Nacional kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale:
Trafikim i lëndëve narkotike
Pjesëmarrje në organizatë kriminale
Vjedhje e energjisë elektrike
Sipas Kodit Penal të Spanjës, për këto vepra penale, 53-vjeçari rrezikon një dënim maksimal deri në 9 vite burgim.
Hapat e mëtejshëm
Pas arrestimit, Interpol Tirana ka nisur procedurat administrative dhe ligjore për ekstradimin e shtetasit J. B. drejt Spanjës, ku do të përballet me drejtësinë spanjolle për akuzat e ngritura.
Ky operacion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë së Shtetit për bashkëpunim ndërkombëtar me partnerët për kapjen e personave që kërkohen për vepra të ndryshme penale jashtë vendit.





