‘Operacioni ishte sekret’/ Lideri i Hamasit zbardh planin, si nisi sulmi në shkallë të gjerë në Izrael?

0

PALESTINË- Sulmi i befasishëm i së shtunës nga Hamasi në Izrael që tani mban statusin e ‘luftës’, ndodhet në faqet e para të mediave ndërkombëtare dhe po bëhet një analizë e gjerë e mënyrës sesi është organizuar. Mes shumë pikëpyetjeve, lideri i Hamasit ka zbuluar disa detaje nga plani, përfshirë këtu organizimin e më pas sulmin në shkallë të gjerë.

Në një intervistë për ‘Associated Press’, Ali Barakeh, një eksponent i lëvizjes me bazë në Bejrut tha se vetëm pak liderë të lëvizjes ishin në dijeni dhe se Irani dhe Hezbollahu nuk morën pjesë në planifikimin e agresionit.

“Operacioni nuk dihej nga askush, përveçse një grusht njerëzish. Ne zgjodhën kohën kur armiku ishte i zënë me pushimet e tij. Askush nga komanda qendrore e Hamasit nuk ndodhej në Bejrut të hënën e kaluar. Asnjë. As nga komanda, as nga byroja politike”, tha Ali Barakeh, lider i Hamasit në Bejrut.

Zyrtari i Hamasit tha gjithashtu se grupi do të përdorë pengjet izraelite për të siguruar lirimin e palestinezëve të burgosur në Izrael dhe SHBA.

“Ata u arrestuan në Amerikë vetëm sepse akuzoheshin për drejtim të një organizate bamirësie që mbështet banorët dhe jetimët në Gaza. Amerika i mori dhe i dënoi këta njerëz sepse iu kërkua nga Izraeli. Ata janë dënuar me burgim të përjetshëm. Ne do të kërkojmë lirinë e këtyre palestinezëve pasi është e drejta jonë”, vijoi ai.

Barakeh ndër të tjera paralajmëroi se aleatët e Hamasit do t’i bashkohen luftimeve nëse Gaza përballet me një asgjësim të mundshëm. Ai shtoi se Hamas ka marrë ndihmë nga Irani dhe Hezbollahu në të kaluarën.

Në një sulm të nisur nga enklava palestineze e Gazës të shtunën, militantët e Hamasit sulmuan qytetet izraelite, duke vrarë më shumë se 1000 njerëz dhe duke u arratisur me dhjetëra pengje, në ditën më vdekjeprurëse për Izraelin që nga lufta e vitit 1973.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu