TIRANË- Komisioni për Reformën Zgjedhore është mbledhur ditën e sotme online, pasi deputetët e opozitës kanë penguar sallën që ky komision të mblidhej në Kuvend. Në fjalën hyrëse bashkëkryetari i komisionit në radhët e socialistëve, Damian Gjiknuri, u bëri thirrje deputetëve të opozitës që bllokuan mbledhjen që të reflektojnë dhe t’i bashkohen mbledhjes online.
“Dua të them një gjë që është dhe mesazhi im, ky komision është gjithëpërfshirës, pasi të gjitha flukset dhe rrymat politike janë të përfaqësuara dhe e kanë të gjithë të drejtën të japin çdo lloj propozimi. Diskutimi ka qenë i hapur, por biem apo nuk biem dakord këtë do ta shohim rrugës, por e rëndësishme është ta fillojmë diskutimin. Nuk mund ta paragjykojmë diçka pa filluar ende. Prandaj i bëj thirrje gjithë kolegëve të na mundësojnë zhvillimin e mbledhjeve fizikisht ose të marrin pjesë online nëse e kanë të pamundur dhe kanë atë qëllimin politik për ta penguar me çdo kusht mbledhjen e komisionit”, tha Gjiknuri.
Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd, Alibeaj iu drejtua kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, ku i kërkoi të garantojë kushtet, që komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore të zhvillohet me prezencë fizike.
“Duhet të jemi të drejtë dhe të sinqertë me ecurinë e komisionit dhe ngjarjet e fundit. Thërijë ime, siç ishte edhe një javë ë parë, i adresohet zonjës Nikolla, në cilësinë e kryetares së Kuvendit që të garantojë zhvillimin normal të veprimtarisë normale të veprimtarisë së këtij Komisioni. Nga ana ime do jetë kërkesa sistematike dhe insistuese, që nga ana e autoritete, që të garantojë zhvillimin aktiv dhe fizik të veprimtarisë së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Deputetët e PD i qëndrojmë asaj, që mbledhjet e komisioneve, jo vetëm e këtij, por të gjitha komisionet të jenë me prani fizike”, tha ai.