LONDËR- Kryeministri britanik Rishi Sunak u sfidua nga një paciente e moshuar në një spital të Londrës të premten, e cila i tha se duhej të përpiqej më shumë lidhur me pagat e mjekëve dhe infermierëve. Pacientja femër i tha kryeministrit se duhet të “kujdeset” për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (NHS) dhe të bëjë më shumë për të mbështetur bluzat e bardha.
“Ata bëjnë gjithmonë shumë për ne. Është për të ardhur keq që nuk i paguan më shumë.”
Sunak i tha asaj se qeveria e tij po përpiqej, por ajo e ndërpreu dhe i tha: Jo, nuk po përpiqesh, duhet të përpiqesh më shumë.
NHS, e cila ka ofruar kujdes shëndetësor falas që nga viti 1948 përbën rreth një të tretën e shpenzimeve të qeverisë për shërbimet publike. Megjithatë, pandemia e COVID-19 rriti kërkesën nga pacientët, me numra rekord që prisnin për të filluar trajtimin rutinë dhe disa pacientë u larguan duke lënguar në ambulanca, jashtë spitaleve ose në karroca për orë të tëra duke pritur për një shtrat.