“Paguani gjobat tani”, Policia thirrje qytetarëve: Mos klikoni linqe të dyshimta!

0

Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një skemë të re mashtrimi online, ku autorë të paidentifikuar po përdorin faqe interneti të rreme, të ngjashme me ato zyrtare, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga qytetarët.

Sipas njoftimit, këto faqe shpërndahen përmes mesazheve SMS dhe email-eve të maskuara, duke u paraqitur si njoftime zyrtare për pagesa gjobash, kryesisht për shkelje të qarkullimit rrugor si tejkalimi i shpejtësisë.

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit bën me dije qytetarët se është konstatuar një skemë mashtrimi online, ku autorë të paidentifikuar kanë krijuar faqe interneti të rreme, të ngjashme me faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.

Këto faqe shpërndahen përmes mesazheve SMS, dhe adresa emaili të maskuara, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si njoftime të dërguara nga autoritete shtetërore, lidhur me pagesën e gjobave për shkelje të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie.

Sqarojmë se këto mesazhe NUK janë dërguar nga institucionet shtetërore.

Autorët kanë përdorur teknika të sofistikuara për të mashtruar qytetarët dhe për t’i orientuar drejt faqeve të rreme, ku u kërkohet vendosja e të dhënave bankare.

Qëllimi i kësaj skeme është vjedhja e të dhënave bankare dhe më pas përvetësimi i fondeve nga llogaritë e qytetarëve.

Policia e Shtetit bën thirrje për kujdes maksimal:

Mos klikoni në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS apo platformave të tjera.

Mos vendosni asnjëherë të dhënat tuaja bankare në faqe të pa verifikuara.

Verifikoni çdo gjobë vetëm në kanalet zyrtare.

Qytetarët mund të kontrollojnë gjobat në portalin zyrtar e-Albania:
https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=879

Në rast se keni vendosur të dhënat bankare në faqe të dyshimta:

* Kontaktoni menjëherë bankën tuaj për të bllokuar kartën/llogarinë dhe për të marrë masat përkatëse si dhe denonconi rastet pranë Policisë së Shtetit.

Strukturat ligjzbatuese janë duke punuar për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike

Kujdes nga SMISHING (Mesazhe SMS mashtruese)
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) tërheq vëmendjen mbi rritjen e rasteve të mesazheve mashtruese (SMS), të njohura si smishing, të cilat paraqiten si komunikime zyrtare nga institucione publike, banka apo kompani shërbimesh.
Këto mesazhe synojnë të manipulojnë përdoruesit përmes krijimit të ndjenjës së urgjencës apo besimit, duke i drejtuar ata drejt faqeve të rreme (phishing) me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare.
❗ Mos klikoni linqe të dyshimta
Mos hapni linqe të dërguara përmes SMS, email apo rrjeteve sociale nga burime të panjohura ose të pakonfirmuara.
❗ Mos ndani të dhëna sensitive
Asnjë institucion legjitim nuk kërkon përmes SMS:
* Numrin e kartës bankare
* CVV / PIN
* OTP (kod verifikimi)
❗ Verifikoni adresën (URL)
Kujdes nga domain-e të rreme që imitojnë faqet zyrtare.
❗ Kujdes nga mesazhet urgjente
Formulime si:
“Keni një pagesë të papaguar”
“Llogaria juaj do të bllokohet”
“Veproni menjëherë”
janë shpesh tentativa mashtrimi.
❗ Shenjat kryesore të smishing:
* Mesazhe të papritura
* Linqe të pazakonta
* Kërkesa për pagesa urgjente
* Kërkesa për të dhëna personale
* Gabime drejtshkrimore ose formulime jo profesionale
🛑 Nëse keni klikuar një link të dyshimtë:
* Mos plotësoni asnjë të dhënë
* Mbyllni menjëherë faqen
* Ndryshoni fjalëkalimet tuaja
* Kontaktoni menjëherë institucionin përkatës
📢 Raportoni çdo rast të dyshimtë