Ndryshimet e fundit ligjore, të publikuara në Fletoren Zyrtare si pjesë e paketës fiskale, qartësojnë për herë të parë në mënyrë të detajuar trajtimin ligjor të aktivitetit ekonomik në internet.
Sipas ligjit, çdo person që gjeneron të ardhura online — nga blogerët te influencerët dhe krijuesit e përmbajtjes — konsiderohet subjekt tregtar. Si i tillë, ai është i detyruar të publikojë në faqen apo profilin e tij në rrjetet sociale të dhënat bazë identifikuese, përfshirë NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktet zyrtare.
Administrata tatimore do të identifikojë këta individë kryesisht përmes të ardhurave të depozituara në llogaritë bankare, si edhe përmes monitorimit të aktivitetit në platformat online. Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore parashikojnë që, pas marrjes së një njoftimi zyrtar, influencerët dhe personat publikë të kenë detyrimin të formalizojnë aktivitetin e tyre në rrjetet sociale.
Ligji parashikon masa ndëshkuese më të ashpra në rast të moszbatimit. Nëse brenda 15 ditëve nga njoftimi nuk publikohet informacioni i kërkuar, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) mund të bllokojë llogarinë në rrjetet sociale dhe të vendosë gjoba administrative.
Sipas autoriteteve, nevoja për këto ndryshime u diktua nga monitorimet e administratës tatimore. Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm nga kontrollet vjetore janë identifikuar rreth 100 profile në rrjete sociale, të cilat gjatë vitit 2025 kanë gjeneruar mbi 33 milionë euro të ardhura të depozituara në llogari bankare individuale.
Ekspertët vlerësojnë se këto shifra pasqyrojnë rritjen e shpejtë të ekonomisë online në Shqipëri, por edhe nivele të larta informaliteti, të cilat përmes paketës së re fiskale synohet të përfshihen në sistemin tatimor.





