18 Janar 2026, 13:26
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër një rrjeti mashtrimi përmes Call Center-ave në Tiranë, duke arrestuar në flagrancë gjashtë persona dhe duke shpallur në kërkim disa të tjerë.
Sipas njoftimit zyrtar, SPAK ka regjistruar procedimin penal nr. 03/2026 për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Hetimi u regjistrua më 9 janar 2026 në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas materialeve të dorëzuara nga gazetarët e emisionit investigativ italian “Le Iene”, që transmetohet në Mediaset. Investigimi nisi pas ankesave të disa shtetasve italianë, të cilët kishin rënë pre e mashtrimeve për investime në kriptomonedha.
Call Center i maskuar në qendër të Tiranës
Nga hetimet rezultoi se aktiviteti i dyshuar kriminal zhvillohej në një Qendër Thirrjesh të vendosur në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse në Tiranë. Call Center-i funksiononte në katin e 9-të dhe të 13-të të godinës dhe ishte i mirëorganizuar, me role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Gazetarët italianë arritën të infiltronin një shtetas italian, i cili u punësua në këtë qendër dhe realizoi regjistrime audio-video nga brenda ambientit, duke dokumentuar mënyrën e mashtrimit të shtetasve evropianë përmes platformave të rreme të investimeve në kriptovaluta. Transaksionet kryheshin përmes portofoleve virtuale, të menaxhuara nga drejtuesit e aktivitetit të paligjshëm.
Tentativë për fshehjen e provave
Pas regjistrimit të procedimit penal, hetuesit e BKH-së nisën menjëherë veprimet për identifikimin e organizatorëve. Nga hetimet paraprake u konstatua se grupi kishte ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me kamera vëzhgimi dhe personel civil monitorues jashtë ambienteve të Call Center-it.
SPAK bën me dije se më 15 janar 2026, pas përfundimit të orarit të punës, personeli vëzhgues dyshohet se ka njoftuar drejtuesit për një ndërhyrje të mundshme të organeve ligjzbatuese. Si pasojë, në orët e para të 16 janarit, ambientet u boshatisën dhe pajisjet u larguan.
Megjithatë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe ekzekutimit të vendimit nr. 85, datë 15.01.2026 të Gjykatës së Posaçme, hetuesit arritën të identifikojnë automjetet dhe personat që transportonin pajisjet drejt një ambienti tjetër të marrë me qira në godinën “Downtown One”, në Bulevardin “Bajram Curri”.
Arrestime dhe sekuestrime
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë gjashtë shtetas me inicialet: R. Gj., D. Q., E. Gj., E. M., R. P. dhe O. K. Në ambientin e ri, në katin e 5-të të godinës, u zbulua një tjetër Qendër Thirrjesh në ndërtim e sipër, ku u sekuestruan pajisje kompjuterike, telefona, laptopë, karta SIM, hard disqe, dokumente dhe blloqe shënimesh.
Paralelisht, u ekzekutuan urdhra ndalimi për shtetasit K. K. dhe H. Xh., ndërsa për tre persona të tjerë janë lëshuar urdhra ndalimi dhe ata vijojnë të jenë në kërkim.
Gjatë kontrolleve në 28 ambiente të ndryshme (banesa, zyra, automjete dhe garazhe) janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, serverë, sisteme monitorimi, dokumente të subjektit “Infinite” sh.p.k. dhe subjekteve të tjera në verifikim, si edhe disa automjete, përfshirë një automjet luksoz të markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të aktivitetit kriminal.
Hetimet vijojnë
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për analizimin e pajisjeve të sekuestruara, identifikimin e të gjitha viktimave dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.
Prokuroria e Posaçme ka falënderuar Policinë e Shtetit për mbështetjen operacionale, si edhe stafin e emisionit investigativ “Le Iene”, puna e të cilëve çoi në zbulimin e këtij rasti të mashtrimit masiv.
Në përfundim, SPAK u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj mashtrimeve online përmes Call Center-ave dhe apelon punonjësit e këtyre qendrave të mos bëhen pjesë e veprimtarive të paligjshme, duke paralajmëruar se ky fenomen do të ndiqet me prioritet edhe në të ardhmen.





