Një paketë e re ligjore për forcimin e kontrolleve dhe sigurisë ushqimore është gati nga qeveria.Kjo nismë e re, e cila pritet të vijë së shpejti në parlament është në përmbushje të direktivave të komisionit europian për kapitullin e “bujqësisë” i cilësuar si më sfiduesi sa i përket procesit të anëtarësimit në union.
“Ligji i ri për kontrollet zyrtare dhe puna për ligjin e ri të ushqimit, përbëjnë hapa moderne dhe të besueshme për sigurinë ushqimore. Shqipëria është në rrugën e duhur, thjesht duhet të ndryshojë marshin, një marsh më të shpejtë. Është kapitull me ndikim të drejtpërdrejt në politikë. Ajo lidhet me shëndetin e qytetarëve, besimin e konsumatorit, funksionimin e tregut të brendshëm në Shqipëri. Një nga sfidat më të mëdha në procesin e sigurisë ushqimore, janë ushqimet e skaduara që hyjnë nga jashtë”, tha Balla.
I pranishëm në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian ishte dhe ministri i bujqësisë Andis Salla, i cili vuri theksin tek kontrollet e produkteve të importit dhe eksportit.
“Ky vit konsiderohet vendimtar për Shqipërinë, e cila duhet të përafrojë legjislacionin shqiptare me atë të Bashkimit Europian. Qeveria synon që këtë vit të mbyllë 16 kapituj, në mënyrë që brenda 2027 të përfundoi I gjithë procesi teknik. Por të vijuar me tej me votën politike, aty ku anëtarësimi duhet të ratifikohet në parlamentet e 27 vendeve anëtare”, u shpreh Salla.
Të pranishëm në tryezë, përfaqësues të grupeve të interesit, theksuan se progresi sa i përket këtij sektori është ende i vakët, por ishte ministri Salla që i siguroi se qeveria do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të rregulluar sistemin.





