Pako me ushqime në këmbim të votës, mbyllen hetimet për 4 ish zyrtarë në Shkodër

0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj katër ish zyrtarëve të Bashkisë Shkodër: Ergys Ivziku, Arvit Bushati, Petrit Dyli dhe Mhill Volaj.

Ndaj tyre rëndon akuza për “korrupsion aktiv” në zgjedhjet lokale të këtij viti.

Dy ditë para votimeve të 14 majit, Drejtori i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore në Bashkinë Shkodër, Ergys Ivziku së bashku me teknikun e shërbimeve mbështetëse Petrit Dylin dhe specialistin e financës në këtë bashki, Mhill Volajn, u kapën në flagrancë nga policia e Shkodrës duke transportuar me furgon 50 qese me ushqime, të cilat dyshohej se do t’ua shpërndanin qytetarëve në këmbim të votës.

Po për këtë ngjarje, u shpall në kërkim Arvit Bushati, Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, i cili, nga hetimi paraprak, rezultoi se ishte porositësi i pakove me ushqime.

Dy ditë pas ngjarjes, Gjykata e Shkodrës vendosi ndaj tre të arrestuarve masën e sigurisë detyrim paraqitje, duke lejuar vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve nga SPAK.

Tani do të jetë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ajo që do të vendosë për fatin e 4 ish zyrtarëve të Bashkisë Shkodër.

Për zgjedhjet vendore të 14 majit Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar 31 kallëzime penale, që lidhen me krimin zgjedhor në 12 bashki të vendit.

Gjithashtu, janë arrestuar në flagrancë 6 persona, mes të cilëve edhe kandidati i grupimit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu