Ansambli i ri do të ketë edhe funksion akomodues për personalitete shqiptare dhe të huaja, të cilët vijnë për vizitë në vendin tonë.
Ministria e Kulturës i ka hapur rrugën menaxhimit të integruar Pallatit të Brigadave, me partner strategjik, me arsyetimin se ky ansambël historik duhet të jetë i aksesueshëm nga të gjithë dhe të kthehet në pikë turistike. Pas Parkut Kombëtar të Butrintit, një tjetër investitor strategjik do të merret me Pallatin e Brigadave për ta promovuar e për ta kthyer në atraksion turistik duke bërë që godina të sjellë të ardhura. Në plan-projekt citohet se kjo pronë do t’i mbesë shtetit dhe vetë Ministria e Kulturës do të garantojë që menaxhimi me investitorë strategjikë të zbatohet pa cenuar hapësirën dhe vlerat e tij.
“Kjo hapësirë do të kthehet në hapësirë mikpritëse për personalitete të ndryshme dhe do të jetë e hapur për organizime kulturore dhe edukative, ku çdo përdorues do të paguajë një tarifë,”- thuhet në shkresë.
Ansambli i ri do të ketë edhe funksion akomodues për personalitete shqiptare dhe të huaja, të cilët vijnë për vizitë në vendin tonë. Sipas qeverisë, Plani i Menaxhimit të Integruar do të përbëhet nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme të cilët e njohin këtë monument. Menaxhimi do të bëhet në partneritet me një periudhë prej 20 vitesh, ku pala e interesuar duhet të ketë financimin e duhur dhe përvojën për rijetëzimin e Ansamblit të Pallatit të Brigadave.
“Një konsideratë duhet pasur për mbikëqyrjen e aktiviteteve nga një bord profesionistësh të fushës, që kontrollojnë dhe garantojnë që të ruhen vlerat e monumentit. Ky bord do të ketë në përbërjen e tij specialist të menaxhimit, jurist, botanistë, historian dhe restauratorë të arkitekturës dhe do të shërbejë si një këshillues për menaxhimin,”- thuhet më tej në vendim.