Policia ka ndarë pamjet nga arrestimi i Kristi Bixhekut, të riut që u arrestua ditën e djeshme në spitalin ‘Nënë Tereza’. Dosja.al raportoi ditën e djeshme se i riu është vënë në pranga pas disa muajsh kërkimi pasi dyshohet si një nga autorët e vrasjes së 25-vjecar.
NJOFTIMI I PLOTË:
Vihet në pranga njëri prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 25-vjeçarit F. Xh., ngjarje e ndodhur 5 muaj më parë në rezervuarin e Gjançit. Operacioni i finalizuar nga DVP Korçë dhe Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me DVP Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 13.06.2021, ku në rezervuarin e Gjançit, në Korçë, u gjet i pajetë shtetasi F. Xh., 25 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe koordinimit të veprimeve nga ana e Forcave të Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u bë i mundur ndalimi i shtetasit në kërkim Kristi Bixheku, 26 vjeç, banues në Lushnjë.Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 18.06.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me ngjarjen e lartpërmendur, ku ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin tjetër L. S., (i shpallur në kërkim) kanë goditur me sende të forta në kokë 25-vjeçarin F. Xh., duke i shkaktuar vdekjen.Nga ana e policisë po vijon puna për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të bashkëpunëtorit tjetër, shtetasit L. S.Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
Trupi i pajetë i Fridman Xhaferrajt u gjet në rezervuarin e Gjançit në fshatin Vithkuq në Korçë në qershor të këtij viti. Viktima, u identifikua disa orë më pas dhe u zbulua se nuk ishte nga zona, por nga fshati Plug i Korçës. Me precedentë të mëparshëm penalë dhe nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për djegien e tri makinave në afërsi të një qendre tregtare në Lushnje, 25-vjeçari u gjet i lidhur dhe i dhunuar.
Shenjat e gjetura në trupin dhe kokën e viktimës bënë që grupi hetimor të dyshojë se kjo mund të jetë një vrasje dhe se i riu para se te hidhej ne rezervuarin e Gjançit është dhunuar deri në vdekje diku tjetër. Në kërkim vijon ende të jetë Lulzim Spahija me nofkën “Arapi”. Ai dhe Bixheku dyshohet se e kanë torturuar të riun e më pas e kanë hedhur në rezervuar.