TIRANË- Vitet e para në Shtetet e Bashkuara, Parashqevi Simaku i kujton si tejet të bukura. Në intervistë ekskluzive për gazetarin Blendi Fevziu, ikona e muzikës shqiptare, thotë se martesa me Robert Nofle e bëri të mos kishte më aq shumë interes për të “depërtuar” në Hollywood.
“S’kam lënë asnjë ditë pa provuar, u martova me Robertin shumë shpejt. Më iku ai interesi… Fillova të shkruaja këngë me Robertin. Në 1997-ën erdha në Shqipëri, këndova në festival.”, tha Simaku.
Artistja tregoi se për herë të fundit, në Shqipëri ka shkelur 21 vite më parë, kur i kishte ndërruar jetë babai i saj.
“Më ndërroi jetë babai, erdha me Robertin për ta përcjellë në 2004-ën. Babai im më thoshte, mos iu ndaj kismetit të parë. I thashë Robertit kërko dorën time për martesë tek babai im, që të martohemi. Ia kam premtuar babës e nanës i thashë, se jam vajzë e vetme. Babai im tha tani do vdes rehat, se qenka serioz…Se thoshte kam merak se mos të lë në rrugë. Jam martuar me adetet e Kavajës, ndërsa Roberti u ul në gjunjë, më dha unazën e diamantit”, tregoi këngëtarja e madhe.