Parcelë me drogë/ Mallakastër, asgjesohen mbi 1800 fidanë kanabis, pranga dy personave

0

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastë, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, goditën një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kontrolleve, në fshatin Çërrilë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër gjetën një parcelë me 1881 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në parcelë, u kapën në flagrancë duke ujitur fidanët narkotikë, shtetasit A. S., 53 vjeç, banues në Greshicë dhe E. Sh., 34 vjeç, banues në Çërrilë, të cilët u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Në lidhje me këtë rast u procedua penalisht kryeplaku i fshatit, shtetasi I. S., 63 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal edhe për shtetasin M. Z., 44 vjeç, banues në Ballsh, ku gjatë kontrollit të banesës, këtij shtetasi iu gjetën një armë sportive, 12.400 euro, 400 paund dhe rreth 900.000 lekë të reja të cilat dyshohet se ishin në funksion të kësaj veprimtarie kriminale.

Fidanët narkotikë u asgjësuan me anë të djegies.