Zamira Gjongecaj e Besnik Braka janë çifti të cilëve u janë sekuestruar katër apartamente me vlerë 300 mijë euro.
Pronarët bashkëjetues janë të dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, në vitin 2009, për trafikim armësh, drogë dhe falsifikim.
Kush është Zamira Gjongecaj?
Zamira Gjongecaj u arrestua në vitin 2005 nën akuzën e shpërndarjes së drogërave të forta në Tiranë. Ajo u vu në pranga së bashku me disa persona të tjerë pas 4 muajsh hetime, ndërkohë pas arrestimit, për të gjetur lidhjet mes tyre, si dhe prova të tjera më të plota për dosjen, u mbajtën në një dhomë në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Prokuroria vendosi përgjues në dhomën e izolimit, ku regjistroi bisedat e të arrestuarve duke zbardhur lidhjet që ekzistonin mes tyre.
Në banesën e Zamira Gjongecajt u gjetën 5 kg heroinë. Kreu i grupit ku ishte pjesë dhe Zamira Gjongecaj ishte Besnik Braka, nga Elbasani. Droga, sipas akuzës, ishte destinuar të nisej drejt Italisë. Ndërkohë, akuzoheshin se të gjithë pjesëtarët e grupit merreshin edhe me shpërndarjen e heroinës në vend. Një nga këto shpërndarëse ishte edhe Zamira Gjongecaj.
Zamira Gjongecaj është nga Elbasani. Në Tiranë, ajo, sipas prokurorisë, jetonte në një shtëpi me qira, ndërsa punonte si parukiere. Mësohet se Zamira ishte e dashura e kreut të grupit Besnik Brakës. Policia dyshonte për një lidhje mes saj dhe Brakës, por asnjëherë nuk ishin të bindur plotësisht. Në atë kohë, Gjongecaj u shpreh para togave të zeza se ishte shtatzënë prej dy muajsh, duke kërkuar një masë më të butë arresti.