TIRANA- Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike përfundoi pas rreth dy orësh diskutimesh me dyer të mbyllura. Kryefjala e takimit ishte organizimi i protestës kombëtare të thirrur për 22 dhjetor, ndërsa gjatë mbledhjes u diskutua gjithashtu edhe propozimi i Lisandër Hoxhës për ndryshime në statut, me synim largimin e eksponentëve të lidhur me fondacionin Soros nga radhët e PD-së.
Mbledhja u shënua nga tensione të brendshme, sidomos pas largimit demonstrativ të anëtarit të Kryesisë, Dritan Burgia, i cili kundërshtoi vendimin për të lejuar diskutime vetëm mbi protestat, duke u shprehur se forumet e partisë duhen përdorur për të trajtuar edhe çështje të tjera.





