Pas takimit në Bashkinë e Fierit, kryeministri Edi Rama ka ndaluar pasditen e sotme edhe në Durrës.
Ai është takuar me kryebashkiaken, Emiriana Sako, dhe pritet të zhvillohet një mbledhje edhe me zyrtarët e kësaj bashkie.
Më herët, kreu i qeverisë ishte në Bashkinë e Fierit, ku kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të kësaj bashkie.
Së fundmi, kryeministri Rama ka shprehur shqetësimin e tij për zaptimin e hapësirave publike dhe gjendjen e pastërtisë në qytete.
Ndërkohë pak ditë më parë, Rama shkaktoi një valë shkarkimesh të të gjithë drejtorëve në Bashkinë e Vlorës pas ultimatumit për lirimin e hapësirave publike.
Ai ka theksuar se ky proces do të vijojë edhe në bashkitë e tjera, duke kërkuar përgjegjësi dhe rezultate konkrete nga drejtuesit lokalë.