TURQI- Një gjykatë në provincën jugore turke të Adanas bllokoi aksesin në Roblox, një nga platformat më të njohura të lojërave online në botë, duke përmendur rreziqet për fëmijët.
“Për shkak të përmbajtjes që mund të çojë në abuzimin e fëmijëve, qasja në platformën e lojës së quajtur Roblox dhe lidhjet e saj në tregjet e aplikacioneve është bllokuar nga Gjykata e 6-të Penale e Paqes në Adana”, tha të mërkurën Ministri i Drejtësisë Yilmaz Tunc.
Tunc shtoi se Turqia do të vazhdojë të marrë masa për të “siguruar mbrojtjen e fëmijëve sipas Kushtetutës”. Roblox është një platformë lojrash që lejon përdoruesit e saj të krijojnë dhe publikojnë lojërat e tyre.
Platforma është gjithashtu një qendër takimesh në internet për përdoruesit e saj, shpesh adoleshentë. Sipas Euronews Turkish, Turqia ka numrin e pestë më të madh të njerëzve në botë që përdorin Roblox.
Blloku i aksesit pason vendime të ngjashme të vendosura nga qeveria muajin e kaluar. Platforma e njohur globale për ndarjen e historive Wattpad është ndaluar në Turqi “për mbrojtjen e fëmijëve” dhe “rendin publik” që nga 16 korriku, duke e bërë atë vendin e parë që vendos një kufizim të tillë.
Së fundmi, Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të Turqisë, BTK, rregullatori kombëtar i komunikimit, bllokoi aksesin në Instagram më 2 gusht pa treguar arsyen ose kohëzgjatjen e ndalimit. Ndalimi erdhi pasi drejtori i komunikimit të presidencës, Fahrettin Altun, akuzoi Instagramin, i cili është në pronësi të META, për censurë të përmbajtjes në lidhje me vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Iran, të lidhur me Izraelin.
Turqia më vonë njoftoi se Instagram ishte bllokuar për dështimin e tij për të hequr përmbajtje të paligjshme për çështje të tilla si “abuzimi seksual i një fëmije”, për fyerje të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne, dhe për artikuj mbi “bixhozin dhe drogën”.
Turqia ka bllokuar shumë platforma të mediave sociale, duke përfshirë YouTube, Threads, EksiSozluk, Wikipedia, Twitter dhe TikTok. Ajo gjithashtu ka vendosur ndalime të mediave sociale dhe transmetimit pas katastrofave, sulmeve terroriste dhe trazirave sociale.