Greqia do të vendosë masa të reja kufizuese në sektorin e gastronomisë nga e enjtja, duke i zbatuar më herët masat e planifikuara për fillim të janarit.
Vendimi erdhi një ditë pasi autoritetet njoftuan për rekord të ri prej 21.657 rastesh për një ditë, më shumë se dyfishi i shifrës së të hënës. Autoritetet thanë se varianti Omicron, që është shumë ngjitës, duket se është mbizotërues në komunitet, rreth një muaj pas shënimit të rastit të parë.
Baret, klubet e natës dhe restorantet do të detyrohen që të mbyllen në mesnatë, me përjashtim të natës së Vitit të Ri, kur mund të qëndrojnë hapur deri në orën 2 të mëngjesit, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
“Këto masa, nëse zbatohen në tërësinë tonë, do të na lejojnë kthimin në jetën normale nga mesi i janarit”, tha ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris, në një konferencë për gazetarë.
Autoritetet greke i ashpërsuan masat edhe javën e kaluar, duke i bërë maskat të detyrueshme në mjedis të hapur dhe duke i ndaluar organizimet për Kërshëndella dhe Vit të Ri në hapësira publike.