Pas urdhër-arrestit të kryebashkiakut Edison Memolla, Rrogozhina në zgjedhje të parakohshme

0

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.

Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, të marrë më 17 qershor të vitit të kaluar, duke e bërë vendimin përfundimtar. Në vijim, pritet që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të nxjerrë urdhër-arrestin për Memollën.

Përveç dënimit me burg, Gjykata ka vendosur edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Si pasojë e këtij vendimi, Bashkia e Rrogozhinës pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë, sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

Rasti konsiderohet një tjetër zhvillim i rëndësishëm në kuadër të hetimeve dhe ndëshkimeve për krime zgjedhore, të ndjekura nga organet e drejtësisë.