Policia ka nisur operacionin për lirimin e hapsirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra. Gjithçka ka marrë shkas pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama
Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Golem.
“Kontrolli ka filluar nga Përroi Agait në drejtim të Karpenit, dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare.
Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar 11 parcela pa leje ku janë hequr rreth 550 shezlongë dhe rreth 280 çadra”, njofton policia.
Çështja ndarjes së plazheve për shfrytëzim gjatë sezonit turistik është një ndër problematikat kryesore të këtij fillim sezoni, gjë që kulmoi me një konflikt të armatosur në zonën e Velipojës që përfundoi me 4 viktima.
Dje kryeministri Edi Rama u bëri thirrje bizneseve që operojnë në paligjshmëri, që të largohen vetë.
“Dua t’i bëj thirrje të gjithë atyre që s’janë në rregull më dokumentacionin meqë kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që të largohen nga sipërfaqet që s’u takojnë me ligj e me rregull policia do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojë çdo çadër, shezllon apo çdo strukturë tjetër”, tha Rama