Pas zjarrit në Landfillin e Elbasanit, dy ministrat Vengu dhe Hoxha në vendngjarje: Premtime për masa parandaluese dhe hetime për shkakun

0
Screenshot

 

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe ai i Brendshëm, Ervin Hoxha, ishin sot në Landfillin e Elbasanit, ku morën pjesë në një ceremoni falënderuese për efektivin që për 6 ditë me radhë mori pjesë në operacionin e shuarjes së zjarrit që përfshiu fushën e mbetjeve.

Ministri Vengu deklaroi se pas analizës së situatës, do të merren masa konkrete për parandalimin e ngjarjeve të tilla, përfshirë instalimin e një sistemi kamerash termike në landfill, që do të mundësojë reagim të menjëhershëm në rast zjarri. Megjithëse situata u konsiderua nga specialistët dhe mediat si një “bombë ekologjike”, Vengu kërkoi kujdes me përdorimin e kësaj terminologjie. Ai theksoi se janë kryer matje në zonë dhe rezulton se më të dëmtuarit rezultojnë drejtpërdrejt stafet që morën pjesë në ndërhyrje, sesa zona urbane dhe ambientete përreth saj.
Ministri i Mbrojtjes la të kuptohet se po shqyrtohet një vendim për të ardhmen e landfillit, por nuk dha detaje konkrete. Për sa i përket mungesës së reagimit nga Ministria e Mjedisit, ai tha se bashkëpunimi institucional është i ngushtë, duke e cilësuar si një “simbiozë funksionale”.

Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ndryshe nga kolegu i tij pranoi hapur se në Elbasan është shkaktuar dëm për shkak të ndotjes, duke theksuar nevojën për riorganizim të strukturave dhe përmirësim të infrastrukturës. Ai njoftoi se ka nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e zjarrit, megjithëse rastet e mëparshme të zjarreve në këtë zonë ende nuk kanë një shkak apo autor.

I pyetur nëse është ndjekur protokolli i ndërhyrjes me rigorozitet, Hoxha u përgjigj se në kushte të temperaturave të larta është e vështirë të shmanget plotësisht rreziku i zjarrit.

Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bëri me dije se prej një jave, pas përhapjes së zjarrit, qyteti po përballet me një tjetër problematikë ,mungesën e një vendi për depozitimin e mbetjeve. Ai tha se përkohësisht, mbetjet po mbahen në ambiente provizore./Infoweb Media