“Pastërtia varet edhe nga disiplina e qytetarëve”/ Rama: Shqiptarët bëjnë foto nga deti, por shishen e ujit e hedhin atje

0

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, iu përgjigj sot kritikave të banorëve për plehrat dhe pastërtisë së qytetit, duke e krahasuar me vendet evropiane. Në përgjigje, Rama tha se ndjen turp kur sheh rrugët kombëtare të mbushura anash, por sipas tij, kjo shkaktohet nga vetë shqiptarët që nga njëra anë duan të bëjnë foto duke treguar bukuritë e vendit, dhe nga ana tjetër hedhin mbeturina.

“Meqë u bë krahasim me qytetet evropiane. Të gjithë kemi parë qytete evropiane, të ndryshme, dhe ka qytete evropiane që është ashtu fiks siç u tha, dhe ka që nuk është ashtu. Pse? Sepse aty ku është gjithçka pastër nuk është thjesht bashkia që pastron por cdo qytetar që nuk ndot, por respekton një sistem shumë rigoroz rregullash të vendosura për oraret kur hidhen mbetjet, ndarjen e tyre në burim etj, gjë që le të jemi të vërtetë ne jemi vite dritë larg nga pikëpamja e ndërgjegjes qytetare dhe kontributit që duhet të hapë gjithsecili duke mos ndotur në radhë të parë.

Ju me të drejtë folët për Tiranën por nuk ka ndjenjë më të rëndë turpi, për mua personalisht, kur gjatë sezonit turistik të verës, ecën nëpër rrugët kombëtare dhe shikon plehra të hedhura nga makina ose pika ku grumbullohen plehra që hidhen nga ata shqiptarë që dalin të bëjnë foto me detin pas dhe shishen eujit që kanë e hedhin atje. Këtë nuk e shikon në shumë vende turistike por në disa.

Varet shumë nga disiplina jonë, bizneset janë problemi numër 1 sa i takon ndotjes. Nuk kanë asnjë lloj disipline dhe për këtë duhet ndërtuar një plan i përbashkët. Ne mund të bëjmë plane sa të duam por si zbatohen. Unë besoj që ne jemi në rrugën e zgjidhjes së këtij aspekti me projektin e ri që më në fund do të nisim ta zbatojmë pas një zvarritje të gjatë burokratike, nuk po i ankohem askujt, por po them se për shkak se jo të gjitha gjërat bëhen në kohë apo si duhet brenda sistemit të qeverisjes apo institucioneve tona humbet kohë. Projekti me kamera është projekt strategjik për sigurinë, pastërsinë dhe qetësinë e prindërve për sigurinë në shkolla”, tha Rama.