PD ankimon rezultatin e zgjedhjeve për Vlorën dhe Gjirokastrën

0

Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka paraqitur një tjetër ankimim pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), këtë herë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun Gjirokastër dhe Vlorë.

Pas ankimimeve të mëparshme në qarqet Kukës, Berat dhe Korçë, PD kërkon tani shpalljen si të pavlefshme të rezultatit zgjedhor në të gjithë qarkun e Gjirokastrës dhe Vlorës dhe përsëritjen e votimeve për Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur dhe zyrtarizuar procesin zgjedhor duke certifikuar rezultatet për të 12 qarqet e vendit. Sipas tabelave përfundimtare, Partia Socialiste siguroi 83 mandate, koalicioni PD-ADSHM mori 50 vende në Kuvend, ndërsa forcat e reja politike ndanë 7 mandate: 3 për PSD, 2 për partinë Mundësia, dhe nga 1 për Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet.

Partia Demokratike ka akuzuar për manipulim të gjerë të procesit, duke e cilësuar atë si një “masakër zgjedhore”, dhe po ndjek rrugën institucionale për të kundërshtuar rezultatin në disa qarqe të vendit, ku deri më tani numri ka shkuar në pesë, por me siguri do të ketë edhe të tjera në ditët në vijim.