PD shkon e përçarë në zgjedhjet lokale, Alibeaj: S’ka bashkëpunim, do dalim me kandidatët tanë

0

TIRANË- Nuk ka bashkim të Partisë Demokratike. Dialogu i nisur prej pak javësh ka dështuar dhe grupi që mbështet Enkelejd Alibeajn ka vendosur të dalin me kandidatët e tyre në zgjedhjet lokale. Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së Alibeajt me deputetët e PD-së, pas tre takimeve të zhvilluara mes të mandatuarve, Gazment Bardhi dhe Edi Paloka. Në njoftimin për shtyp, grupi i Alibeajt bën me dije se bisedimet mes Berishën nuk kanë qenë ‘pa kushte’ dhe se pavarësisht zotimit publik për të dalë me një kandidat në 14 maj të vitit 2023, ka prevaluar interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, për rrjedhojë dhe Sali Berishën si kryetar të PD-së. Nisur nga kjo situatë, Alibeaj ka kërkuar të informohet Kryesia e Partisë Demokratike, për t’i hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e grupit të tij në zgjedhjet e ardhshme vendore me kandidatët e tyre.

Takimet mes Bardhit e Palokës nisën më 18 tetor, ditë kur Berisha publikoi kalendarin e Primareve që do të nxjerrin kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale. Ata u takuan tre herë dhe në ekrane të dy janë shprehur se ka vullnet për bashkëpunim, por vetë kryedemokrati Berisha ishte i prerë kur tha një natë më parë se procesi i primareve ishte i panegociushëm. Ai komentoi propozimin e Bardhit për ‘Polls’ dhe tha se sondazhet duan të paktën 1 milionë euro, para që PD-ja nuk i ka. Berisha gjithashtu u ka ofruar mundësinë deputetëve që mbështesin Alibeajn që të dalin si fraksion më vete në PD.

DEKLARATË E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE:

Më datë 10 Tetor Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në mënyrë unanime shprehu vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar. Kjo mundësi e sinqertë për bashkëpunim, me qëllim bashkimin e çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje, në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD, ishte zgjidhja e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale. Ne shprehim keqardhjen që në kundërshtim me zotimin publik për “bisedime pa kushte”, prevaloi interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, duke minuar në këtë mënyrë bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet lokale. Anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike, janë të lodhur nga debati “kush është statuti në fuqi i Partisë Demokratike”.

Ato kërkojnë zgjidhje për të unifikuar çdo zë opozitar përballë Edi Ramës në zgjedhje lokale. Humbja e kësaj mundësie me kokëfortësi dhe duke injoruar situatën e rëndë që po kalon Partia Demokratike, nuk është në interes të qytetarëve dhe dobëson alternativën e opozitës në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Refuzimi i vazhdueshëm i çdo propozimi të bërë nga ana jonë, përfshirë propozimin final të paraqitur edhe me shkrim, është tregues i mungesës së sinqeritetit dhe vullnetit për të gjetur zgjidhje. Ky refuzim provon paramendimin për të mos gjetur zgjidhje dhe vënien para faktit të kryer të palës tjetër. Kjo bëhet evidente nga fakti që ndërsa palët ishin në bisedime mes tyre, njëra palë vijonte me akte të njëanashme apo me deklarata publike të disa përfaqësuesve politik që shkonin në frymën e nxitjes së dështimit të bisedimeve mes palëve. Nisur nga kjo situatë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar të informohet Kryesia e Partisë Demokratike, për ti hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu