Një zyrtar ushtarak amerikan konfirmoi për Zërin e Amerikës se Uashingtoni do të nisë këtë muaj t’u mësojë trupave ukrainase se si të përdorin sistemet e mbrotjes raketore Patriot.
Stërvitjet do të kryen në bazën ushtarake ‘Fort Sill’ që ndodhet në shtetin e Oklahomës.
Zyrtari që foli në kushte anonimiteti, konfirmoi për VOA-n se SHBA, do të stërvitë për disa muaj rreth 100 ushtarakë ukrainas, një numër i mjaftueshëm për të operuar një sistem Patriot.
Forcat ukrainase janë stërvitur edhe me parë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë dhe mbi përdorimin e dronëve ‘Switchblade’, dronë vetëshkatërrues, apo të ashtuquajturit armë fluturuese.
Baza ushtarake e ‘Fort Sill-it’ shërben për kryerjen e stërvitjeve për trupat amerikane për përdorimin e sistemeve Patriot si dhe artilerisë së lëvizshme.
Vendimi për të stërvitur në SHBA trupa ukrainase, vjen pas vendimit të marrë nga Presidenti Biden muajin e kaluar, për dërgimin e një sistemi të mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë, me synimin për të forcuar mbrojtjen e Kievit kundër sulmeve me raketa ruse. Javën e kaluar edhe Gjermania njoftoi se do të dërgojë një sistem Patriot në Ukrainë./ VOA