SHBA- Ka përfunduar biseda telefonike mes Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin. Bëhet e ditur se mes dy liderëve ka zgjatur 90 minuta, ndërsa një zyrtar i Shtëpisë së Bardha tha se gjithçka shkoi mirë.
Tema e diskutimit mes dy liderëve ishte lufta në Ukrainë dhe hapat që duhen ndërmarrë për t’i bërë palët të dorëzojnë armët. Siç raportojnë mediat vendase reagimi i parë pas përfundimit të telefonatës erdhi nga i dërguari special i presidentit rus për investime dhe bashkëpunim ekonomik, Kirill Dmitriev.
Dmitriev tha se “nën udhëheqjen e Presidentit Putin dhe Presidentit Trump, bota është bërë sot një vend shumë më i sigurt”!
Biseda nisi në orën 10:00 të mëngjesit, sipas orës lokale dhe në fokus ishte propozimi i Ukrainës për një armëpushim 30-ditor të luftës. Më herët, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, tha se telefonata po shkonte mirë kur ai dha një përditësim të statusit të takimit në mediat sociale. Një burim rus me njohuri për thirrjen i tha mediave se ajo shkoi shumë mirë.