Prishtinë, 2025 – Gazetari Milaim Zeka ka publikuar një seri përgjimesh audio që hedh dritë mbi mënyrën sesi janë montuar dëshmi kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas përmbajtjes së tyre, prokurorë të korruptuar dhe struktura anti-shqiptare në Beograd kanë bashkëpunuar për të fabrikuar akuza ndaj krerëve të UÇK-së, duke përdorur dëshmitarë të rremë.
Në materialet e publikuara, Zeka prezanton biseda të përgjuara mes kryeprokurorit Alan Tieger dhe biznesmenit Halit Sahitaj, i cili ka dëshmuar kundër Thaçit dhe Kadri Veselit. Sipas përgjimeve, Sahitaj është instruktuar nga agjenti i shërbimit sekret serb BIA, Faik Imeri, në bashkëpunim me ish-kryeprokurorin e Hagës, Jack Smith.
Sahitaj rrëfen se ka udhëtuar në Beograd bashkë me Faik Imerin, ku janë takuar me Bojan Dimiq dhe Millan Radojçiq, të dy të lidhur ngushtë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Radojçiq është gjithashtu pjesë e listës së zezë të SHBA dhe i njohur për lidhje me botën e krimit në veri të Kosovës.
“Bojan Dimiq, Millan Radojçiqi dhe Faik Imeri kanë instruktuar Halit Sahitajn, duke e paguar që të dëshmojë kundër krerëve të UÇK-së,” thuhet në përmbajtjen e përgjimeve. Sipas Zekës, Faik Imeri është përfshirë në çështje që nga viti 2017 dhe është paraqitur si agjent i CIA-s për të rekrutuar dëshmitarë.
Në një dokument me të dhëna të klasifikuara, Faik Imeri përshkruhet si bashkëpunëtor i BIA-s që ka dërguar mbi 60 dëshmitarë të rremë në Hagë. Dokumenti përmend edhe përfshirjen e Milo Djukoviç, një ish-bashkëpunëtor i presidentit të Malit të Zi, i cili është shantazhuar për të dëshmuar kundër Thaçit në një takim të ndërmjetësuar nga komandanti i policisë malazeze në një hotel të njohur në Cyrih.
“S’kam kërkuar të tërheq deklaratën” – Sahitaj kërkon kontakt me eprorë amerikanë
Në pjesën e dytë të audio-incizimeve, të publikuara në kanalin zyrtar në YouTube “Me Milaim Zeken”, Sahitaj mohon të ketë kërkuar të tërheqë dëshminë e dhënë më 2020 për Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjatë bisedës me prokurorin Tieger, ai thekson:
“Është një keqkuptim këtu, në asnjë moment unë nuk kam thënë se dua të tërheq deklaratën që e kam dhënë. Atë deklaratë e kam dhënë me vullnet të plotë. Por janë disa sqarime tjera paralele.”
Ai shton se kishte tentuar të kontaktonte ambasadën amerikane në Madrid për të zhvilluar një takim me një zyrtar të lartë:
“Kam dhënë arsyen time për një takim në Madrid me një epror amerikan, për një shpjegim lidhur me një shqetësim që kam dy-tre javë, dhe për mua është shumë e rëndësishme.”
Kjo pjesë e dëshmisë hap pikëpyetje serioze për natyrën e “shqetësimit” dhe përfshirjen e mundshme të diplomacisë amerikane në çështje.
Zeka ka njoftuar se përgjimet do të publikohen në formë serie prej 18 episodash në kanalin e tij “Me Milaim Zeken”. Infoweb Media