Kandidati i LSI Artur Baku ka kërkuar rrëzimin e argumenteve të prokurorisë për përjashtimin e tij nga gara. Përmes një deklarate për mediat ai shprehet se formularin e dekriminalizimit e ka plotësuar në rregull dhe se për ngjarjen ai është shpallur i pafajshëm dhe ka marrë dëmshpërblim.
Vetëm një ditë pas nga vendimi i prokurorisë për mospranim të rekursit të paraqitur, kandidati i LSI, Artur Baku, ka zgjedhur të kundërshtoj këtë vendim të sektorit të dekriminalizimit përmes avokatit të tij.
Në deklaratën për mediat thuhet se vetëdeklarimi është i rregullt dhe se klienti i tij është i pafajshëm çka zbulohet dhe në praktikat e drejtësisë.
“Kemi një procedim penal për shpërdorim të detyrës, çështja është pushuar nga organi i akuzës dhe ka marrë formë të prerë.”
Baku pretendon se është akuzuar në mënyrë të padrejtë e për këtë ka marrë dhe dëmshpërblim, ndaj dhe kërkon rikthimin në garë.
“Ky është vendimi i organit të akuzës për pushimin e procedimit penal. Sa i përket arrestit të shtëpisë kemi marrë edhe dëmshpërblim.”
Baku theksoi që kjo përballje e tij me ligjin është evidentuar edhe në dosjen e dërguar pranë KQZ.