Përkeqësohet gjendja në grevën e naftëtarëve në Patos! Dita 13 ul numrin e grevistëve, dy prej tyre…

0

Pas 13 ditësh grevë urie, gjendja e naftëtarëve të Bankers Petroleum Albania është përkeqësuar ndjeshëm. Dy prej tyre, Dorjan Dylmishi dhe Eduart Selami, janë larguar nga greva për shkak të problemeve të shëndetit, duke e ulur numrin e grevistëve aktivë në tetë.

Ndërkohë, grevistët Eduart Mita dhe Dritan Rrapushi, të cilët vazhdojnë grevën, shprehin zemërim dhe zhgënjim ndaj kompanisë Bankers Petroleum Albania dhe institucioneve shtetërore. Ata denoncojnë mosndërhyrjen dhe neglizhencën e këtyre institucioneve, duke theksuar se askush nuk ka marrë masa për të adresuar kërkesat e tyre.

Artur Ndreu, një tjetër punonjës i cili ka bojkotuar punën në vendburimin e naftës, është bashkuar me thirrjet e grevistëve, duke e cilësuar indiferencën e kompanisë si një sjellje çnjerëzore ndaj punonjësve, të cilët po rrezikojnë jetën për të kërkuar të drejtat e tyre.

Kërkesat e naftëtarëve janë dërguar gjithashtu dhe në institucione ndërkombëtare të larta, për të tërhequr vëmendjen ndaj këtij problemi të rëndësishëm.