Qarku i Elbasanit është përfshirë gjatë natës nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe rrebeshe të shoqëruara me erë të fortë në disa zona. Pavarësisht kushteve atmosferike, sipas të dhënave nga strukturat e Emergjencave Civile në bashkitë e qarkut, situata paraqitet përgjithësisht normale dhe pa probleme madhore.
Në disa akse rrugore janë shënuar raste sporadike të pranishmërisë së ujërave në rrugë dhe rrëzimi i pemëve. Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë, në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”, pati bllokim të përkohshëm të qarkullimit për shkak të rënies së inerteve në rrugë. Pas ndërhyrjes së menjëhershme të firmës kontraktuese, aksi u pastrua dhe u bë i kalueshëm për automjetet.
Rënie inertes janë raportuar gjithashtu në akset rrugore Gramsh–Moglicë dhe Gramsh–Cërrik. Probleme me qarkullimin janë evidentuar në segmentet Kodovjat–Shelcan (Njësia Administrative Kodovjat), Sotirë–Kërpicë (Njësia Administrative Kushovë) dhe Skënderbegas–Ermenjë (Njësia Administrative Skënderbegas). Sipas burimeve zyrtare nga Bashkia Gramsh, janë marrë masat për pastrimin e rrugëve dhe po punohet për zhbllokimin e plotë të tyre.
Në rrethrrotullimin e Shijonit, në hyrje të autostradës Elbasan–Tiranë, u shënua prani e konsiderueshme e ujërave në rrugë, çka solli përkohësisht vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, janë raportuar ndërprerje në njësitë administrative Përparim të Bashkisë Peqin, Labinot Mal dhe Funar të Bashkisë Elbasan, si dhe në njësinë administrative Lunik të Bashkisë Librazhd. Grupet e gatishmërisë së OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se janë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për çdo ndërhyrje të mundshme në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.





