Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se në daljen për mediat që bëri sot, nuk kishte ndërmend të përmendte as djalin e Aqif Rakipit, Orlando, të cilin tha se në fushatë e mbështeti ish-deputeti i PD, Keltis Kruja dhe as problematikun e Elbasanit, Suel Çela.
I ftuar në “Open”, Bardhi tha se ajo që kishte detyruar të bënte denoncimet e forta ishte fakti se në zyrën e tij, vetëm 10 minuta para se të dilte para gazetarëve, kishte mbërritur një shef grupseksioni dhe i kishte shprehur shqetësimin për kërcënimet e marra për firmosjen e formularëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së.
“Unë sot dola që të deklaroja se si mblidhet Kuvendi Kombëtar, dhe jo për të bërë denoncimin që bëra. Nëse 10 minuta përpara në zyrën time nuk do të ishte hera e shtatë që kryetari i një grupseskioni që më thoshte të njëjtën gjë, unë nuk do ta kisha bërë,”- tha Bardhi.