TIRANË- Katër persona, mes tyre dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës si pasojë e një aksidenti. Mësohet se rreth orës 05:15, te ura e “Vasil Shantos”, janë përplasur dy automjete, konkretisht automjeti tip “Skoda” i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe automjeti tip “BMW”.
Makina e policisë ishte nisur për ‘aksion’ dhe do t’i shkonte në ndihmë një tjetër patrulle që po ndiqte dy persona të maskuar ma kapuç. Por, në Vasil Shanto është përplasur me mjetin tip “BMW”. Për pasojë, dy efektivët dhe dy personat që ndodheshin në makinën tjetër janë dërguar në spital. Të dy drejtuesve të mjeteve, iu është bërë testi i alkoolit, dhe ka rezultuar që asnjëri prej tyre, nuk kishte konsumuar pije alkoolike.
Njoftimi i policisë Tiranë:
Rreth orës 05:15, te ura e “Vasil Shantos”, janë përplasur dy automjete, konkretisht automjeti tip “Skoda” i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 me drejtues Inspektor B. M., 31 vjeç, dhe automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin N. B., 36 vjeç. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjerët, shtetasi G. N., 38 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “BMW” dhe punonjësi i Patrullës së Përgjithshme Inspektor J. B., 22 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “Skoda”.
Të dëmtuarit ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Të dy drejtuesve të mjeteve, iu është bërë testi i alkoolit, dhe ka rezultuar që asnjëri prej tyre, nuk kishte konsumuar pije alkoolike. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.