Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Milano, ku një tramvaj ka dalë nga shinat, duke goditur një ndërtesë dhe përplasur disa persona, nga të cilët dy kanë humbur jetën, ndërsa 38 të tjerë mbetën të plagosur.
Shumica e të lënduarve ishin pasagjerë në bord të tramvajit, një mjet që kishte hyrë në shërbim vetëm disa javë më parë. Ngjarja ndodhi pak pas orës 16:00 në viale Vittorio Veneto, teksa tramvaji po lëvizte nga piazza Repubblica drejt Porta Venezia.
Në vendngjarje po ndërhyjnë shërbimet e urgjencës për të dhënë ndihmën e nevojshme për të plagosurit. Ende nuk dihen shkaqet që çuan në daljen nga shinat të tramvajit, ndërsa autoritetet po hetojnë për të zbardhur ngjarjen.





