Përurohet Zyra e Prokurorit të Shqipërisë pranë Eurojust, Çela: Luftojmë krimin

0

TIRANË– Zyra e Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë pranë selisë së Eurojust në Hagë është përuruar sot nga Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela dhe Presidenti i Eurojust, Ladislav Hamran. Në faqen zyrtare të Euro Just shihet se ceremonia është zhvilluar pas përzgjedhjes dhe caktimit të prokurorit të parë ndërlidhës të Shqipërisë pranë kësaj agjencie në janar të këtij viti, Fatjona Memcaj.

Vetë Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela tha se ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm përpara në luftën kundër të gjitha llojeve të krimeve që tejkalojnë kufijtë tanë.

“Bashkëpunimi ynë i forcuar tashmë nëpërmjet Eurojust-it shënon një hap të rëndësishëm përpara në luftën kundër të gjitha llojeve të krimeve që tejkalojnë kufijtë tanë. Rruga që kemi ndërmarë do të na mundësojë të konsolidojmë përvojat dhe kapacitetet, si dhe të përgjigjemi në një mënyrë më të organizuar institucionale ndaj kërcënimit serioz që krimi i organizuar transnacional po paraqet për shoqëritë tona,”- tha Çela.

Presidenti i Eurojust Ladislav Hamran shtoi më tej se Bashkimi Evropian dhe Shqipëria janë fqinj e partnerë.

“Bashkimi Evropian dhe Shqipëria janë fqinj dhe partnerë. Në Eurojust ne e dimë prej eksperiencës se të kesh një prokuror ndërlidhës pranë kësaj agjencie është një mjet I fuqishëm që shtyn përpara bashkëpunimin në fushën e gjyqësorit në kufijtë tanë. I jam mirënjohës autoriteteve shqiptare për bashkëpunimin e treguar për të hapur zyrën e prokurorit ndërlidhës dhe mirëpres bashkëpunimin për të luftuar krimin e organizuar transnacional së bashku,”- tha ai.

Ceremonia u ndoq edhe nga Kreu i Prokurorisë Speciale, SPAK Arben Kraja, i cili udhëtoi një ditë më parë drejt Holandës. Hapja e Zyrës përkoi me takimin e parë vlerësues për marrëveshjen e bashkëpunimit me Shqipërinë, e cila hyri në fuqi vitin e kaluar.

Bashkëpunimi gjyqësor ndërkufitar midis Shqipërisë dhe Eurojust është rritur me mbi 40% në pesë vitet e fundit. Midis 2016 dhe 2020 në Eurojust u regjistruan gjithsej 84 raste në të cilat përfshihej Shqipëria. Këtë vit, deri më tani janë regjistruar 20 raste, me një hetim afatgjatë që kulmoi me arrestimin e 38 kontrabandistëve shqiptarë të drogës në bashkëpunim me Italinë, në korrik, si një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit të deritanishëm.

Aktualisht, përveç Shqipërisë, nëntë vende të tjera kanë prokurorë ndërlidhës në Eurojust: Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia, Zvicra, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Prokurori Ndërlidhës për Shqipërinë Memcaj ka një përvojë të gjatë në bashkëpunimin gjyqësor ndërkufitar dhe para fillimit të detyrës pranë Eurojust ka qenë prokurore pranë prokurorisë së Apelit Tiranë, ku ka qenë përgjegjëse për çështjet që kërkonin Ndihmë Juridike të Ndërsjellë, veçanërisht kërkesat për ekstradim.

Vizita e delegacionit shqiptar dhe zhvendosja e prokurorit ndërlidhës pranë Eurojust janë mbështetur nga projekti IPA 2019 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu