“Peshëngritja në Elbasan, nga kampionët e vegjël tek yjet që sfidojnë Ballkanin”

0
Screenshot

Peshëngritja po fiton gjithnjë e më shumë terren mes të rinjve në qytetin e Elbasanit. Në sallën e stërvitjes, zhurma e shufrave të hekurit është bërë tashmë pjesë e përditshme e pasionit dhe ëndrrave të sportistëve të vegjël. Mes tyre, disa fëmijë që sapo kanë nisur rrugën e tyre sportive, tashmë kanë arritur të tregojnë talentin e parë. Njëri prej tyre ka dalë kampion në Kupën e Republikës për moshat e vogla, një sukses që dëshmon për potencialin që po rritet në këtë sport. Ndonëse i vogël në moshë endrrat dhe ambiciet ai i ka të mëdha, endrra e tij mbetet të jetë kampion.

Mikrofoni dhe kamera u  ndalën edhe te një emër i njohur i peshëngritjes elbasanase, Franko Ferra, i cili është titullar dhe një nga sportistët më premtues të ekipit. Ai ndodhet në fazën e fundit të përgatitjeve për Kampionatin Ballkanik që do të zhvillohet në Durrës, një event i rëndësishëm ku synon të tregojë forcën dhe nivelin e arritur në këtë sport.

Pas sportistëve, fjala iu dha edhe trajnerit Ilir Çela, i cili foli për entuziazmin e fëmijëve dhe të rinjve që po i bashkohen peshëngritjes në Elbasan. Ai theksoi se ky sport po merr gjithnjë e më shumë vëmendje dhe se përgatitjet për Kampionatin Ballkanik po ecin në nivelin më të lartë. Trajneri u shpreh i bindur se Elbasani do të rikthehet në podium me titujt më të mirë, duke përfaqësuar denjësisht jo vetëm qytetin, por edhe Shqipërinë.

Me rritjen e brezit të ri të peshëngritësve dhe sukseset e sportistëve titullarë, Elbasani po konfirmon edhe një herë se mbetet një qendër e rëndësishme e këtij sporti në vend.

/Infoweb Media